Pas Vettingut, Rama e Vasili “përplasen” jashtë salle

17/06/2017 00:00

Dakordësia shfaqur në sallë me kartonë në favor të kalimit të listës me emrat që do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Edi Rama dhe Petrit Vasili e shfaqën edhe në deklaratat e lëshuara para mediave në përfundim të seancës së jashtëzakonshme.

Kryeministri ripërsëriti ndjesën për deklaratën në lidhje me policinë.

“Qëllimi im nuk ishte që të turrja policinë në zgjedhje, por pavarësisht se cili ishte qëllimi im, unë gabova dhe për këtë kërkoj ndjesë dhe kaq”, deklaroi ai.

Rama tha se fushata është e qetë, më e qetë që ai mban mend, por që ka vetëm një fakt që ai e quajti “të çuditshëm”.

“Ajo që e ka bërë të çuditshme këtë fushatë është futja e Presidentit të zgjedhur në fushatë, por unë nuk dua të merrem me këtë”, shtoi ai.

Menjëherë pas Ramës, para gazetarëve doli Petrit Vasili. Kryetari i LSI-së tha se ndjesa e Kryeministrit është e pavlerë dhe pikërisht me këtë justifikoi deklaratën e Metës për armatosjen e popullit.

“Me ngjarjet e rënda të ditës së djeshme, ku Kryeministri i ka bërë thirrje policisë në zgjedhje, rendi dhe siguria janë të cënuara. Populli, nga dje i është kërkuar nga Kryeministri të mos ketë polici për të garantuar rendin publik. U është kthyer zagarëve të krimit dhe në këtë mënyrë ne jemi të motivuar t’i japim përgjigjen e duhur e që vettingu i duhur të nisë me votën e lirë më 25 qershor”, deklaroi ai.

Top Channel