Meta në Gjirokastër: Në Shqipëri, “pranvera” demokratike

17/06/2017 00:00

Nga Gjirokastra, presidenti i zgjedhur Ilir meta ka hedhur një sërë akuzash ndaj partisë me të cilën ka qeverisur këto 4 vjet.

Duke e akuzuar për afrimin e elementëve kriminalë në politikë, Meta ka hedhur hije dyshimi edhe mbi operacionin anti-drogë të kryer nga qeveria në Lazarat, në fillim të mandatit.

“Ai aksion nuk u bë për të shkulur drogën nga Lazarati dhe Shqipëria, por për të pastruar Lazaratin dhe për të mbushur gjithë Shqipërinë me drogë”, ka thënë Meta.

Meta ka kritikuar edhe mënyrën e funksionimit të brendshëm të aparatit të Partisë Socialiste, e cila sipas tij nuk ndjek parimet demokratike.

“Cila parti në demokraci bën referendum që të ndalojë zgjedhjet në partinë e vetë?”, është shprehur Meta.

Në vijim të fjalës së tij, ish-kreu i LSI ka theksuar se kjo parti ka zgjedhur njeriun e duhur për Gjirokastrën dhe jo “kandidatë turistë”, si PS.

“Ne kemi këtu, në krye të një ekipi të mrekullueshëm, një person që i njeh hallet dhe nevojat e qytetarëve, Vangjel Tavo. Fuqia dhe madhështia e LSI-së qëndron tek respekti, kujdesi dhe dashuria për njerëzit. Ndërsa fuqia e rremë dhe mashtruese e Rilindjes qëndron vetëm tek arroganca që vjen nga pushteti dhe përbuzja e njerëzve të thjeshtë”, ka vijuar Meta.

Ai ka bërë thirrje që më 25 qershor të votohet për një “drejtim të ri” për të ulur taksat, kostot e biznesit dhe për të ndihmuar të rinjtë të gjejnë veten në vendin e tyre.

Një ditë pas intervistës për televizionin grek “STAR”, Meta ka premtuar se, “marrëdhëniet me Greqinë do të jenë të shkëlqyera në 4 vitet e ardhshme”.

“Çështjet që kemi do t’i zgjidhim me dinjitet dhe në interes të dy popujve tanë. Kjo që po ndodh është pranëvera demokratike e Shqipërisë” ka shtuar Meta.

Top Channel