Basha denoncon Ramën, kërkon votën e vlonjatëve

17/06/2017 00:00

Në Vlorë, Lulzim Basha bisedoi me qytetarët për paratë e shpenzuara keq nga qeveria e Edi Ramës, ku shembull mori ndërtimin e një sheshi në një nga lagjet e qytetit.

“Po shikoj atë sheshin aty 1 milion dollarë. A mund të jetë ai prioritet i Vlorës ku pensionistët nuk blejnë dot paracetamol? Kur ke me mijëra të rinj pa punë”, tha Basha.

“Gjithë kjo rini ka mbaruar shkollat. Dy vajzat e mia kanë mbaruar për biznes, janë pa punë. Kam investuar 6 vjet”, i shprehet një qytetare.

“Sepse shkojne milionat për pllaka. Këtë do ta ndryshojmë më datë 25 qershor. Lekët do të shkojnë për të hapur vende pune, për të rritur pensionet për të rritur ekonominë”, i përgjigjet Basha.

Basha u shpreh i sigurtë se projekti i Partisë Demokratike për ekonominë do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për këtë ai u kërkoi vlonjatëve votën në 25 qershor.

“Rritja e pensioneve është pjesë e planit tonë për ekonominë. Por nuk është thjesht rritja e pensioneve, rritja e pensioneve do të rrisë konsumin dhe do të sjellë rritjen e ekonomisë. Edi Rama e ka të përcaktuar të shkoje nga mashtrimi në mashtrim. Kështu që e keni ju në dorë që në 25 qershor të bëni ndryshimin”, tha Basha.

Top Channel