Top Story, Mehmetaj: LSI do të dalë forcë e parë

08/06/2017 00:00

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj tha se sulmet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në adresë të kësaj force politike në fushatë, tregojnë panikun që i ka kapur këto dy forca.

Duke folur në Top Story këtë të enjte, Mehmetaj tha se “dy partitë që deri më sot e kanë konsideruar veten të mëdha, e ndjejnë që janë në rënie dhe populli është i zhgënjyer dhe i lodhur me to, jo vetëm në këto katër vite, por në 27 vite.

“Janë në panik sepse shohin mbështetjen që ka LSI dhe janë pa program dhe e vetmja alternativë që kanë është sulmi denigrues ndaj LSI-së. Nëse i referohemi 2011, Edi Rama doli kundër LSI-së dhe nuk i kuptoj këto sulme të Edi Ramës. Mos do të pësojë një tjetër humbje të dhimbshme si në 2011?! Unë jam e sigurtë që LSI do të dalë forcë e parë në këto zgjedhje”, tha ajo.

Mehmetaj tha se LSI nuk mbështeti protestën e opozitës dhe as çadrën, por konsideroi si të drejta disa shqetësime të ngritura në këtë protestë.

“Një pjesë e çështjeve të ngritura nga opozita në çadër ishin ngritur nga LSI kohë më parë. Duke gjykuar këto çështje si të drejta, është kërkuar që të mbahet qëndrim dhe t’u jepet zgjidhje këtyre çështjeve. LSI nuk ka mbështetur asnjëherë bojkotin e opozitës”, thotë ajo.

Top Channel