Rama: Vlorën e nxorëm nga errësira

08/06/2017 00:00

Sipas Edi Ramës, projekti i Lungo Mares në Vlorë, rrit impaktin në turizmin e zonës. Në takimin me të rinjtë e qytetit jugor, ku Rama është pjesë e listës për deputet, tha se investime të tilla do të shtrihen në të gjithë qarkun.

“Ne ia dolëm që Vlorën ta nxjerrim nga errësira dhe ta transformojmë në platformën më fantastike të rilindjes urbane, kartëvizitën më të shkëlqyer për të ftuar me krenari në Vlorë këdo, vendas apo të huaj. Çka ka nisur këtu në zemrën e Vlorës, do të shtrihet në të gjithë trupin e saj”, tha kryeministri.
 
Rama kërkoi votën e të rinjve vlonjatë, duke i kujtuar që mos të mendojnë si tifozë.
“Ju duhet të shkoni në zgjedhje, vetëm si stërnipërit e Ismail Qemalit dhe duhet të votoni vetëm për flamurin që Ismail Qemali ngriti këtu në Vlorë, të bashkuar dhe jo të ndarë për fanelat apo flamujt e partive, por një trup i vetëm, për Vlorën që duam dhe për Shqipërinë që duam”, u shpreh Rama. 

Për kryeministrin, edhe demokratët do të përfaqësohen, duke votuar Partinë Socialiste.

“Kushdo që është me Partinë Demokratike, duhet ta ketë shumë të qartë se po votoi Partinë Demokratike, nuk fiton asgjë dhe po votoi Partinë Socialiste, ka edhe partinë Demokratike, se ka numrin 2, dyshin e PS-së dhe simbolin e fitores, që do të jetë simboli ynë, sepse fitorja do të jetë e Vlorës dhe e Shqipërisë që duam”, tha kryeministri Rama.

Top Channel