Rama: Sudja, më logjike se Basha

08/06/2017 00:00

Edi Rama deklaroi në Sarandë se vota në 25 qershor vendos të ardhmen e vendit.

“Në 25 qershor vendosim për atë se çfarë ndodh më pas; do të votojmë për të shkuar të bashkuar dhe të ngulim flamurin në shtëpinë e familjeve europiane, apo do të kthehemi pas për të votuar administratën me flamujt e partive?” , tha ai.
 
Në Delvinë, kreu i Qeverisë tha se krahas reformës në drejtësi, ndihmë po aq të rëndësishme për rritjen ekonomike do të japë largimi i militantëve nga administrata. 

“Nëse nuk e marrim ne timonin e kemi të pamundur t’ju shpëtojmë nga kanceri i administratës. Na pengon fakti që partitë, pasi marrin votat nuk mbajnë përgjegjësi. Ne do ta çojmë ekonominë mbi 5 përqind në fund të vitit 2018. Për ta bërë këtë gjë na duhet reforma dhe nga ana tjetër duhet një administratë që të mos u nxijë jetën njerëzve duke marrë kurajo nga partitë”, deklaroi Rama. 

Rama foli edhe për planin ekonomik të Partisë Demokratike.

“Luli, që deri dje thoshte bjeruni me grusht, tani thotë jam kryeministri i ekonomisë. Program me njerëzit e Merkelit thotë, njerëz të Merkelit që jetojnë në një qytet me Merkelin. S’ka më pensione nën 250 mijë lekë, thotë luli. Po ku do t’i gjejë lekët ky? Atje ku i gjente Sudja. Vetëm se Sudja e kishte fytyrën e sinqertë”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i Partisë Socialiste foli edhe për listën e kandidatëve të PD në Vlorë, pjesë e së cilës është edhe Vangjel Dule.

“Një gozhdë nuk më ka kërkuar Vangjeli për minoritetin. Ne i kemi respektuar të drejtat e minoritetit, Dulja dha dorëheqjen kur vumë Shpëtim Idrizin nënkryetar Parlamenti! Erdhi dha dorëheqjen. Kur na vjen tani me Dashin e Havasë. Dulja thotë tani votoni PD që të fitojë Dashi. Dashi thotë votoni PD që të vijë unë Dulen. Do ta hanë dy herë sardelen”, tha ai. 

Top Channel