Basha në Zvezdë: Bujqësia u shkatërrua. Produkti mbi koston e tregut

08/06/2017 00:00

Me fermerët e Zvezdës sot në Korçë, kryetari i PD Lulzim Basha sulmoi politikat e Ministrisë së Bujqësisë, duke thënë se e shkatërruan punën e tyre.

Ai tha se kostoja e prodhimit është më e lartë se ajo e tregut dhe kjo reflekton krizën ekonomike.

“Ka një fatkeqësi të madhe politike që quhet qeveri dhe Ministria e Bujqësisë, që ju ka lënë në mes të katër rrugëve dhe jua ka bërë jetën më të vështirë.

E thatë vetë, kostoja e prodhimit është më e lartë se çmimi me të cilin mund ta nxirrni në treg. Kjo reflekton krizën ekonomike në Shqipëri.

Subvencionet, nga 15 milionë dollarë që ishin në 2013 kanë zbritur në 7 milionë dollarë dhe nga 27 mijë fermerë që subvencionoheshin, tani ato i marrin grosistët.

Trau i doganës është hapur dhe vjen fasulja, drithi, patatja dhe bulmeti. Si do ia dilni ju të konkurroni në treg kur ai vjen me plus 5 euro nga qeveria e tij, ndërsa qeveria juaj ju ka futur në gropë minus 200 lekë?

Këto produkte kush do t’i blejë? Qytetari. Por fuqia blerëse e qytetarit ka rënë. Në katër vjet Edi Rama ka rritur pensionin më pak se inflacionin. Që do të thotë se me pensionin e sotëm, pensionisti në qytet dhe fshat blen më pak se para 4 vitesh.

Gjendja e fermerëve reflekton gjendjen e ekonomisë dhe problemi që ne sot kemi si popull është ekonomia”, deklaroi Basha.

Top Channel