
Banorëve të zonës së Kombinatit, Lulzim Basha u tha se ndryshimet në Kushtetutë janë thelbi i republikës së re, që do të ndajnë përgjithnjë politikanët e papërgjegjshëm nga pushteti.
“Kushtetuta e re do të jetë akti i parë i republikës së re, siç kemi rënë dakord bashkë. Me ndryshimin e sistemit zgjedhor ne do të bëjmë të mundur që kjo të jetë radha e fundit e listave partiake, që deputetët dhe përfaqësuesit e popullit të burojnë nga vendimi juaj dhe t’ju përfaqësojnë ju. Nëse i braktisin, qytetarët po me Kushtetutë do të kenë të drejtë t’i shkarkojnë para fundit të mandatit”, tha Basha.
Për herë të parë pas shumë kohësh, Basha iu rikthye akuzave për Saimir Tahirin.
“Ja ku jemi në Kombinatin e mbajtur përdhunshëm nën hijen e një trafikanti që na u bë ministër i Brendshëm, e një njeriu që nuk kishte asnjë lidhje me rendin dhe sigurinë, e mashës së Edi Ramës që e shndërroi Ministrinë e Brendshme ndër institucionet me më shumë kriminelë sesa në burgjet e vendit dhe e mbushi vendin me drogë”, deklaroi ai.
Me uljen e TVSH-së në 15 përqind, Lulzim Basha pretendon se do t’u shpëtojë qytetarëve 400 mln euro, të cilat do të kthehen në shërbim të tyre.
“Do të mbeten në xhepat tuaja, para që do të rrisin konsumin dhe do të sjellin rritje të prodhimit, që do të sjellë rritje të kërkesës për më shumë vende pune. Do të Çlirojë energjinë pozitive për të cilën ekonomia ka nevoja që të rritet”, deklaroi ai.
Top Channel