Basha: Akuzat mes Ramës e Metës, shenjat e humbjes së tyre

08/06/2017 00:00

Nga Korça, Lulzim Basha i komentoi si shenja të humbjes së pushtetit  akuzat e ndërsjella mes Ramës dhe Metës.

“Nuk kane lënë llaf pa thënë për njëri-tjetrin Edi Rama dhe Ilir Meta këtë javë, vetëm e vetëm për pushtetin dhe pasurinin e tyre. Nuk ka asgjë t’ju ofrojnë ju. E keni parë, tani kanë nxjerrë militantët t’u hedhin karrige njëri-tjetrit. Pse? Për pushtetin e tyre, xhepin e tyre dhe jo hallet e njerëzve të thjeshtë”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.  

Me fermerët e Korçës, Basha i cilësoi të dështuara politikat e qeverisë në bujqësi, që në vend të subvencioneve ofron kredi.

Basha ftoi fermerët t’i bashkohen programit të tij për ekonominë, ku shtyllë kryesore është bujqësia.

“Programi im ekonomik ka subvencionin e drejtëpërdrejtë e 100 mln eurove në vit, pa NIPT, pa burokraci, pa kasë fiskale. Paratë do të shkojnë tek fermerët që punojnë tokën në bazë të prodhimit që ju gjeneroni”, deklaroi ai.

Në planin “Basha” parashikohet edhe politikë proteksioniste për prodhimet vendase nga konkurenca e prodhimeve të huaja.

“Javën time të parë si Kryeministër, unë do të vendos traun e doganës dhe tarifat proporcionale doganore për prodhimet bujqësore që subvencionohen nga qeveritë e huaja. Nuk do të konkurrojnë dot më me çmime të pandershme. Aq sa subvencione marrin, aq do të paguajnë tarifën në doganë që t’u futen mallrat në Shqipëri”, premton Basha.

Gjatë ditës Basha bashkëbisedoi për planin e tij ekonomik edhe në një biznes ndërtimi në Elbasan.

“Ulja e TVSH-së nga 20 në 15 përqind do të lerë 400 milionë euro në xhepat tuaja, që do të shpenzohen nga njerëzit e thjeshtë, më shumë xhiro në ekonomi”, deklaroi kreu i PD.

Basha synon që brenda vitit Shqipëria të ketë çmimin më të ulët të naftës në rajon.

“240 lekë për çdo litër karburant është taksa Rama. Nafta më e shtrenjtë në rajon, prandaj dhe vendimi im i parë do të jetë heqja e taksës Rama”, u shpreh Basha.

Basha e konsideron 25 qershorin si ditën kur qytetarët do të vendosin për republikën e tyre, në vend të asaj të politikanëve.

Top Channel