“Administrata larg partive”, Rama: Mandatin vetëm, katërfishin e punës

08/06/2017 00:00

Turi elektoral i Ramës u ndal në fshatin Xarrë në jug të vendit, ku kërkoi votën për të bërë shtet me një administratë larg lidhjeve partiake.

Kryeministri pati dhe një përgjigje për akuzat e liderit të opozitës për ndikimin në punësim dhe ekonomi të rilindjes urbane.

“Thotë: Edi Rama prioritete të gabuara, pse shëtitore, pse rrugë me trotuare, pse pemë, pse palma, pse, pse… e dini ju sa njerëz janë punësuar nga rilindja urbane, 49 mijë e 326 persona, vetëm nga projektet e rilindjes urbane, punësim direkt me letra”, u shpreh Rama.

Partia Socialiste kërkon të qeverisë vetëm, për këtë duhet një votë e fortë e Ramës ndërkohë që premtoi se do të bëjë 4-fishin e punëve që janë bërë gjatë mandatit të parë.

“Para 4 vitesh ju kam thënë na jepni votën, na besoni dhe do të bëjmë çfarë nuk është bërë në çerek shekulli, për të bërë shtet. Tani ju them, po na dhatë timonin pa na e ngatërruar me të tjerë do bëjmë në 4 vitet e ardhshme, 4-fishin e atyre që bënë këto 44 muaj”, u shpreh Rama.

Takimet e kryeministrit vazhduan në Finiq një zonë minoritare greke.
“Nuk ekziston më në fletën e votimit PBDNJ. Nuk ekzistojnë më parimet dhe vlerat e asaj partie. Ekziston vetëm një gjë: Të mblidheni të gjithë ju për tani, për “dashin e havasë” që Vangjel Dule të bëhet deputet”, u shpreh Rama.

Rama tha se qeveria ka dhënë mbështetje për partitë e minoritetit grek.

“I kemi dhënë minoritetit dy bashki. Bashkinë e Finiqit dhe Bashkinë e Dropullit. Shkoni edhe pyesni në Dropull se sa shumë kemi dhënë edhe atje. Se vota nuk është tifozllëk, as për Vangjelin, e as për “dashin e havasë” dhe as për Havanë e Vangjelit dhe të Dashit. Vota është arsyetim, kë do marrim në punë për katër vitet e ardhshme”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel