Rama: PS, timonin e qeverisjes. Moment historik i ndërtimit të shtetit

07/06/2017 00:00

Nga Amantia, Edi Rama kërkoi votën e qytetarëve për të vijuar reformat e ndërmarra, duke veçuar dy prej tyre.

“Për ta zbatuar deri në fund vettingun, duke garantuar që pallati i drejtësisë të jetë i shqiptarëve dhe për ta bërë administratën shtetërore nga një federatë republikash të partive në një administratë të një shteti që meriton të quhet shtet e që u shërben të gjithë qytetarëve”, deklaroi Rama.

Edhe njëherë, kreu i socialistëve bëri thirrje që t’i jepet drejtimi i timonit pa partitë e tjera.

“Vota e hedhur gjetkë është një gur i hedhur në rrugën që ne kemi nisur, për të penguar vazhdimësinë e vendosur dhe me shumë më tepër shpejtësi të reformave të modernizimit të shtetit. Është fatkeqësi të harxhosh votën për parti që duan të kenë mundësinë vetëm të fusin një dorë në timon. Partitë e vogla nuk janë garante të demokracisë, por vetëm të tepsisë”, tha Rama.

E nëse kjo arrihet, Rama u premtoi diçka vlonjateve. “Unë ju betohem se në 4-vjeçarin e ardhshëm do bëjmë katërfishin e asaj që kemi bërë për Vlorën në këto 44 muaj”, premtoi Rama.

E në fund, Edi Rama u ndal dhe tek lista e PD në Vlorë. “PD ka sjellë këtu një çift që kurrë nuk e kam imagjinuar se do t’i shihja bashkë. Ky është çifti i dytë surprizë pas çiftit mes meje dhe Lulit. Vangjel Dule dhe Dashin e havasë. I them çcamëve të Vlorës, sa më shumë të votoni Dashin, aq më të sigurt e keni në xhep Vangjelin. Se Dashin harrojeni se mund ta bëni deputet”, tha Rama.

Top Channel