Programi ekonomik i Partisë Demokratike

07/06/2017 00:00

Atë që Edi Rama e quan lëshim ndaj Partisë Demokratike me marrëveshjen e 18 majit, Lulzim Basha e quan kapitullim të republikës së vjetër përballë shqiptarëve të bashkuar për ndryshim kushtetues të sistemit të ri politik dhe ndryshimeve në qeveri.

“Me gjysmën e kabinetit të republikës së vjetër të rrëzuar, me 7 gardianë ministra teknikë, të cilët kanë për detyrë të zbatojnë një kod të ndryshuar penal, që do të çojë prapa hekurave këdo që guxon të prekë votën dhe vullnetin e qytetarëve”, tha Basha.
 
Nga Mallakastra, Lulzim Basha shpjegoi sesi programi i tij ekonomik prek direkt jetën e qytetarëve: “Taksa Rama mbi karburantin, 240 lekë për litër, do të eliminohet që javën time të parë si kryeministër i Republikës së Re”.

Përveç qarkullimit në ekonomi të 400 milionë eurove në vit nga ulja e TVSH-së, Basha tha se fermerët do të kenë edhe një përfitim tjetër: “100 mln euro në vit subvencione të drejtpërdrejta për fermerët shqiptarë, pa sekser dhe pa nipt”.

Për koncesionet në shëndetësi, Basha ka një plan tjetër: “Këto koncesione unë do t’i anuloj që ditën time të parë në zyrë. Këto para do të shkojnë për më shumë mjekë, shtretër në spitale, për pajisje më të mira, për ilaçe në farmacitë spitalore”.

Basha, i cili në këtë fushatë po sulmon njësoj Ramën dhe Metën, apeloi për bashkim me opozitën, pavarësisht bindjeve politike: “Unë do të jem kryeministri i njerëzve të thjeshtë, unë do të jem kryeministri i ekonomisë, i punësimit dhe i rinisë”.

Top Channel