Fushata/ Libra: Lehtësi emigrantëve. PDIU: Kundër ndarjes elektorale

07/06/2017 00:00

Ben Blushi, në takimet që zhvilloi me qytetarët në kuadër të fushatës derë më derë të quajtur “100 kilometra”, u ndal tek çështja e votës së emigrantëve.

Partia e tij Libra, siç thotë Blushi, do të japë atyre të drejtën e votës, si dhe do të stimulojë, tregtinë e atyre që kthehen në Shqipëri.

“Një ndër premtimet e Libra-s  për këtë shtresë është dhe çlirimi nga taksat për 4 vjet. Çdo emigrant që sjell në Shqipëri mbi 100 mijë euro dhe hap një biznes në Shqipëri, nuk do të paguajë taksa 4 vjet”, tha Blushi.

Në ndalesën në njësinë 8 në Tiranë, një tjetër premtim i kreut të Libra-s është, ai i uljes së çmimit të karburantit dhe taksave vendore, që sipas, tij u rritën me 50 përqind nga Bashkia e Tiranës.

Reforma e pensioneve, Balla takon ish-ushtarakët në Elbasan

Taulant Balla ishte në Elbasan me ish-ushtarakët me të cilët diskutoi për pensionet.

“Skema e pensioneve ishte e falimentuar, hapi i parë që hodhëm ishte më i rëndësishmi, rifutja në skemën e pensioneve të 200 000 shqiptarëve që ishin në punë, po nuk paguanin sigurime shoqërore, ishin skllevër. Jo vetëm që ndihmuam ato 20 000, që futen në skemën e sigurimeve shoqërore, por ndikuan tek pensionistët e tjerë sepse raportin e kemi çuar 1.7 që punojnë me 1 në pension, duhet të shkojë në minimalisht 3.4-3.5 sa është minimalja e lejuar për të garantuar një sistem pensionesh të qëndrueshëm. Kjo kërkon sakrificë, një ekonomi të fortë, por më shumë se kaq kërkon një qeveri të besueshme”, tha Taulant Balla.

Kundër ndarjes elektorale, PDIU: Jo më 12 zona, por me 5

Shpëtim Idrizi ishte në Berat, ku foli për votën e 25 qershorit. Ai deklaroi se ndarja e Shqipërisë në 12 qarqe është e padrejtë.

“A mund të më thoni pse sot e kemi ndarë Shqipërinë në 12 qarqe? Unë e di shumë mirë, padrejtësia historike neve na ndau në 5 shtete. Nuk e kuptoj pse na ndau në 12 qarqe dhe jo në 4 apo 5. Për të nxjerrë një deputet në Qarkun e Beratit duhen 13-15 % e votave, kurse në Tiranë duhen 2.7% e votave. Pse në Kukës për të nxjerrë një deputet duhen 33% e votave. Kjo është arsyeja pse vota e shqiptarëve nuk është e barabartë me këtë ndarje”, tha Shpëtim Idrizi.

Mediu: Votë për PD. Republika e re për një ekonomi të fortë

Kreu i Partisë Republikane ftoi qytetarët të votojnë Republikën e re dhe Lulzim Bashën për një ekonomi më të mirë.

“Një ekonomi e fortë e individit është një ekonomi më e fortë për familjen. Një familje me ekonomi të fortë është një shoqëri më e fortë. Votoni për Republikën e re dhe Lulzim Bashën. Për një qeveri që do të punojë për ju çdo ditë”, tha Mediu.

Top Channel