Basha premton mbështetje për fermerët: Bujqësia, prioritet

07/06/2017 00:00

Nga Lushnja, kreu i opozitës, Lulzim Basha u premtoi fermerëve mbështetje buxhetore. Sipas tij, bujqësia është një nga shtyllat kryesore të programit ekonomik të Partisë Demokratike.

“100 milionë euro, 1% e prodhimit të brendshëm bruto, do të bëjë të mundur që fermerët shqiptarë ta zerojnë koston e mekanikës bujqësore”, tha Basha.

Por Basha nuk u ndal me kaq, ai tha se do te ndjekë politika proteksioniste për prodhimin bujqësor vendas.

“Në shembullin e Presidentit amerikan Donald Trump, unë nuk do të lejojë më në Republikën e re që prodhimet bujqësore të fermerëve shqiptarë, që djersa e tyre e ballit të konkurrohet në mënyrë të pandershme nga mallrat dhe prodhimet e subvencionuara të fermerëve të huaj nga cilado qeveri qoftë ajo”, tha Basha.

Programi ekonomik i Partisë Demokratike u prezantua dhe në Roskovec.

“Unë nuk do të jem kryeministri i oligarkëve, unë nuk do të jem kryeministri i bankave, unë do të jem kryeministri juaj, i qytetarëve të thjeshtë. Do të jem kryeministri i ekonomisë dhe i punësimit”, u shpreh kreu i PD-së.

Top Channel