“Top Story”, debati PS-PD mbi ekonominë

06/06/2017 00:00

“Top Story” organizoi për herë të parë në këtë fushatë një debat midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike mbi ekonominë. Cilat janë ofertat, avantazhet dhe disavantazhet e njërës palë dhe tjetrës.

Të ftuar në studio ishin Arben Ahmetaj, ish-ministër i Financave, Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Agron Shehaj, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Vlorë dhe Dorian Teliti, kandidat për deputet i PD-së në listën e Tiranës.

Arben Ahmetaj e konsideroi paketën e opozitës si “joserioze”. “Nuk duhet debatuar fare sepse e shkatërron Shqipërinë, e çon borxhin 115%. Spiranca kryesore e programit tonë është ulja e borxhit në 60%”, deklaroi Ahmetaj.

Agron Shehaj u përgjigj se mazhoranca duhet të japë llogari për 4 vitet e qeverisjes: “Pas premtimeve që bënë, të japin përgjigje se çfarë bënë këto 4 vite e më pas të flasin se çfarë do të bëjnë në 4 vitet e ardhshme. Kanë ikur 280 mijë shqiptarë nga Shqipëria dhe flitet për sukses. Nuk e kuptoj se me çfarë kurajoje kërkojnë mandat të dytë”.

Ndërkohë, Erion Braçe theksoi se “shqiptarët e dinë kush e ka rrënuar ekonominë dhe kush e ka ringritur”.

“Shumë kompani “rating”-u thonë gjëra të tjera nga ato që dëgjuam këtu në studio”, tha Braçe.

Dorian Teliti nënvizoi se varfëria ka pllakosur për pjesën dërrmuese të shqiptarëve.

“Falimenti shihet në të gjitha rrethinat e Tiranës dhe në qytetet ku ka pllakosur varfëria. Këtë e thonë punëtorët dhe biznesmenët e vegjël. Nuk ka pllakosur për 100% të shqiptarëve, por për pjesën dërrmuese të tyre. Republika e Re ka për objektiv të bëjë reforma strukturore. Filozofia jonë është ajo e uljes së taksave. Maqedonia dhe Mali i Zi kanë nivel taksimi më të ulët se ne dhe mblidhen më shumë taksa. Ne do e bëjmë të mundur këtë duke ua kthyer paratë qytetarëve dhe biznesit”, deklaroi Teliti.

Top Channel