Rrugët e reja të kanabisit, Demiraj: Do të dalim nga harta e kultivimit

06/06/2017 00:00

Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë, ka publikuar raportin për vitin 2017, ku theksohet problematika e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

“Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabisit, ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin voluminoz prej 96 faqesh.

Në lidhje me raportin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, i cili shprehet thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Për këtë, Demiraj thotë se po mban kontakt me të gjithë krerët e institucioneve ligjzbatuese në vend. Pak kohë më parë, edhe Europol e rendiste Shqipërinë si një nga vendet furnizuese të tregut europian me kanabis, ndërkohë që qeveria ka vënë në zbatim planin kombëtar për t’i dhënë fund këtij fenomeni.

Në Vlorë, një nga zonat më problematike, këtë të martë u mblodh taskforca lokale, ku u evidentua fakti se gjatë këtij viti janë goditur 10 grupe kriminale dhe janë sekuestruar rreth 20 mjete lundruese të dyshuara se do të përdoreshin për narkotrafik.

Ndërsa gjatë ditës së martë, policia ka monitoruar nga ajri zona me risk për mbjelljen e kanabisit në Qarkun e Beratit, nga ku rezultoi se në asnjë nga këto zona nuk u evidentuan parcela të mbjella me bimën narkotike.

Top Channel