Rama, “miting” me PD. Në Has komunikon me opozitarët

06/06/2017 00:00

Edi Rama zhvilloi mitingun më të veçantë deri në këtë pikë të fushatës elektorale. Shumë afër me sheshin ku ai mbajti takimin me mbështetësit socialistë, ishte zyra elektorale e PD, gjë të cilën Rama e shfrytëzoi për të zhvilluar një miting të PS-së me mbështetës të Partisë Demokratike.

“Ju një herë më keni borxh mua. Kush jua nxori Lulin nga çadra? A e nxora unë? Po të mos e kisha nxjerr unë Lulin nga çadra, ju s’do të ishit aty. Ju do ishit të gjithë nëpër kafe dhe s’do kishit shans të merrnit pjesë në votime. Mos kisha shkuar unë të nxirrja Lulin do e kishit me rroba banjo akoma në bulevard”, tha Rama duke u drejtuar nga zyra e elektorale e Partisë Demokratike.

Tonet miqësore ndaj Partisë Demokratike dhe Bashës, Rama i vijoi edhe kur u kërkoi mbështetësve demokrat votën për qeverisjen vetëm në mandatin e ardhshëm.

“Ju në rregull jeni, Lulin mbajeni në zemër, mua më mbani në mendje, votoni PS-në. Lulin e keni në Parlament, ne do jemi në punë, do punojmë për ju edhe Luli në punët e veta, flet sa herë të hapet televizori, mbasi mbyllet televizori ne vazhdojmë punën, Luli fle gjumë. Mendojeni njëherë”, tha Rama.

Më tej, Rama vijoi takimet elektorale në Kukës, ku zhvilloi një bisedë me gratë e këtij qyteti.

Top Channel