LSI: Rilindja, ndërmarrja më e  madhe e drogës në Europë

06/06/2017 00:00

LSI, përmes deputetes Silva Caka, ka akuzuar këtë të martë kryeministrin Edi Rama për provokim me deklaratat e bëra prej tij një ditë më parë në Berat, për përpjekje për blerje votash nga ish-aleati qeverisës.

Në një deklaratë për mediat, Caka ka thënë se kjo akuzë e Ramës vjen nga “tmerri” që sipas saj ai ka nga forca e LSI-së në Berat dhe gjithë Shqipërinë.

“Pasi u ktheu shpinën socialistëve për 4 vite me radhë dhe ia la pushtetin oborrit të tij të Rilindjes, tani mendon se mund t’i mashtrojë sërish duke u thënë se e ka fajin LSI-ja. Kjo alibi është e mjerë dhe e pashpresë. Problemi i tij i madh është se ai është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vota e lirë”, ka thënë Caka.

Sipas saj, Rama ishte njeriu më i frikësuar të bënte zgjedhje brenda partisë së tij me rival Ben Blushin e jo më të pranojë zgjedhje të lira e me të gjithë aktorët të përfshirë në garë.

“Ai bëri çdo përpjekje që opozita të mos hynte në zgjedhje, me qëllim shkatërrimin e opozitës dhe manipulimin e zgjedhjeve përmes policisë të lidhur me klanet e drogës. Ai Rilindjen e ktheu në ndërmarrjen më të madhe të drogës në Europë. ndaj dhe inskenimi i turpshëm në Berat, në bashkëpunim me segmente kriminale të policisë, për gjoja blerje votash është një përpjekje e dështuar për të trembur LSI”, ka thënë Caka.

Sipas saj, është vetë “kryepolici” që planifikon blerje votash masive duke përdorur çdo mjet të pushtetit.

“Ky akt dëshpërimi dëshmon se atë e ka kapur paniku jo vetëm për mbështetjen që LSI gëzon në qarkun e Beratit dhe në gjithë Shqipërinë, që do të konfirmohet me votën e shqiptarëve më 25 qershor, por ka panik edhe nga zbatimi i vettingut që shqiptarët mezi po e presin. Le të çmendet kryepolici! LSI do të dalë forcë e parë në Berat dhe në gjithë Shqipërinë sepse është shpresa e rinisë dhe fundi i oligarkisë”, ka shtuar Caka.

Top Channel