Kërkon edhe vota të majta, Basha: Rama, fushatë me dy gishta

06/06/2017 00:00

Në takimin me elektoratin e njësisë numër 5 në Tiranë, kryetari i opozitës Lulzim Basha nuk i ka kursyer batutat për kundërshtarin politik, Edi Ramën,  i cili sipas  Bashës, pasi i hapi luftë çadrës së lirisë, tani ka filluar të bëjë fushatë me dy gishta. Ndërsa për timonin, që do ta mbajë vetë, Basha i ka kujtuar Ramës se makina e tij nuk ka timon.

“Pasi na shpalli luftë te çadra e lirisë, tani duan të futen te kjo çadër dhe Rama ka filluar tani të dalë në fushatë me dy gishta. E ka ëndërr timonin, makinës i dogji motorin, llamarinat i ranë në lumë, tani thotë më jepni timonin t’u fusë një bojë llamarinave dhe të mbajë timonin në dorë”, tha Basha.

Basha nuk ka lënë pa përmendur as marrëveshjet e Ramës dhe Metës, të cilat i cilësoi si pazare që ndanë gjithçka, por që harruan popullin. Ndërsa u ka bërë thirrje anëtarëve të partive klienteliste, që t’i braktisin dhe të bashkohen në bashkimin e madh të Shqipërisë.

“E bënë pazarin, i ndanë të gjitha, çfarë do marrë Beqja? Çfarë do marrin kriminelet, por harruan një gjë, harruan popullin. Nuk do të ketë më qeveri matrapazësh. Nuk do ketë më pazare të rinj dhe të vjetër. U bëj thirrjeve anëtarëve të partive të tyre që t’ua përplasin në fytyrë teserat që i kanë përdorur si tollona dhe të vijnë të bashkohen këtu me ne. Ne do t’i pranojmë apo jo”, tha kreu i opozitës.

Top Channel