Militantët në administratë, Rama: Ta shpëtojmë mandatin e ardhshëm

05/06/2017 00:00

Në Urën Vajgurore dhe në Berat, Edi Rama foli për shkatërrimin e administratës publike nga militantizmi, për të cilin tha se Partia Socialiste synon ta reformojë në 4-vjeçarin e ardhshëm.

“Nuk mund të vazhdojë më të diktohet fati i shërbimeve ndaj publikut, i pronave, i patentave, etj, nga kush parti e ka përgjegjësinë. Prandaj, votën cilësojeni si një investim”, tha Rama.

Kreu i Partisë Socialiste tregoi sesi u përball me këtë realitet. “Kam mbyllur gojën, sepse ka një logjikë më të madhe, ajo e mbajtjes bashkuar të koalicionit”, sqaroi Rama.

Por për kreun e qeverisë, Partia Socialiste është e vetmja që ka ekipin më të kualifikuar dhe dëshirën për të shpëtuar shtetin nga ky fenomen.

“Luli nuk e bën dot. Petriti? Nuk e kam për këtë Petritin këtu, e kam për ate shokun tim në Tiranë. Që të mos i marr me radhë kaubojsin, Benin, Shpëtimin. Këta janë të gjithë jo në kërkim të mandatit të kryeministrit, ata thjesht duan të pengojnë që unë dhe Partia Socialiste të marrim mandatin për të qeverisur dhe për të patur timonin të vetëm”, shtoi Rama.

Top Channel