Lulzim Basha e përshkroi Kukësin si simbolin e diskriminimit krahinor dhe politik të qeverisjes Rama-Meta. Por kreu i opozitës beson se koha e spektaklit me shqiptaret do të marrë fund në 25 qershor.

“E keni dëgjuar Edi Ramën të japë llogari për ato që do bënte dhe nuk i bëri, vetëm cirk , barsaleta dhe batuta. Prite kur të vijë të bëjë vertikalen në Kukës. Ai tjetri erdhi me daulle. Le t’i bjerë sa të dojë Ilir Meta daulleve. Tokat e Sh.P.K-së nuk kanë për të pasur më shiun e pushtetit”, u shpreh Basha.

25 qershorin Basha e sheh edhe si orën e ndëshkimit për Edi Ramën.

“Kjo është ora e Shqipërisë. Ka ardhur momenti për gjithçka që Edi Rama premtoi dhe nuk bëri për çdo padrejtësi ku është momenti ta gjykoni e ta ndëshkoni me votën tuaj më 25 qershor”, u shpreh Basha.

Por zgjedhjet, Basha nuk i shikon vetëm si ndëshkim për Edi Ramën. Ai mbështetet tek plani i tij ekonomik. Basha thotë se qytetari do ta ndjejë menjëherë taksën e sheshtë tek ulja nga 20 në 9 përqind të TVSH-së.

TVSH është taksa që paguan gjithë secili prej jush. Nga bebja tek më i moshuari. Ulja e TVSH do të sjellë 400 mln euro në xhepat e konsumatorëve.
Lulzim Basha ka edhe një arsye tjetër perse kërkon të mandatohet si kryeministër.

“Kisha mundësinë të ndërtoja jetë komode ne Holandë e Amerikë, por kam zgjedhur këtë betejë që këta të rinj të kenë të njëjtat mundësi. Se edhe unë, bir prindërish të thjeshte jam dhe do të bëj gjithçka që të njëjtat mundësi t’i kenë të rinjtë e Belshit, Dumresë, bijtë e bijat tuaja”, theksoi Basha.

Top Channel