Braimllari: LSI forcë e parë, një shans për të gjithë

04/06/2017 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëherësh kandidati për deputet i LSI-së, Endrit Braimllari, së bashku me kandidatin për Kryetar Bashkie të Kavajës, Maksim Kona, zhvilluan disa takime me banorë të njësisë administrative të Golemit.

Gjatë këtyre takimeve, Braimllari dhe Kona, pasi dëgjuan nga afër shqetësimet dhe problematikat e banorëve të zonës, u shprehën se me LSI-në forcë të parë dhe me drejtimin e bashkisë nga zoti Kona, zona e Golemit do të marrë një zhvillim ekonomik që do të bëjë të mundur rritjen e mirëqenies së banorëve.

Endrit Braimllari theksoi para banorëve të Golemit se duke votuar LSI-në që ajo të dalë forcë e parë do të thotë drejtim i ri i qeverisë, ulje taksash dhe hapjen e vendeve të reja të punës duke garantuar një zhvillim të gjithë Bashkisë së Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Maksim Kona do të ketë përkrahjen maksimale të LSI-së si forcë. Kjo mbështetje e që do të përkthehet në trefishim të fondeve për bujqësinë me qëllim që të krijohen mundësitë për të zhvilluar edhe më tej asetet bujqësore të zonës së Golemit por edhe për të hapur vendet e reja të punës pasi LSI-së është një shans për të gjithë. LSI forcë e parë do të thotë një qeverisje tjetër e vendit, do të thotë ulje taksash, do të thotë hapjen e vendeve të reja të punës të mirëpaguara”, u shpreh Braimllari.

Nga ana e tij, kandidati për Kryetar Bashkie të Kavajës, Maksim Kona prezantoi para banorëve të Golemit planin e tij për të zhvilluar këtë njësi administrative. Duke e cilësuar Golemin si një nyje kyçe për zhvillimin e turizmit në vende, ai theksoi se me drejtimin e bashkisë nga ana e tij do të bëhet e mundur lidhja infrastrukturore e zonës kodrinore të Golemit me atë bregdetare gjë e cila do të garantoj një treg të sigurt për produktet bujqësore në hotelet e plazhit të Golemit.

“Lidhja e turizmit bregdetar me zonën kodrinore është një mundësi për zhvillimin e ekonomisë për zonën e tuja. Kjo do të rrisë cilësisht turizmin e zonës, që bashkë me bujqësinë, përbëjnë burimin kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit. Prandaj jemi të orientuar që Golemi të jetë një zonë elitare si në fushën e turizmit ashtu edhe në fushën e bujqësisë”, u shpreh Maksim Kona.

Top Channel