Basha ironizon “timonin” e PS

04/06/2017 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ironizoi nga Elbasani fushatën e Partisë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama, në lidhje me thirrjet drejtuar qytetarëve për t’u dhënë drejtimin socialistëve për të mos pasur të tjerë në “prehër”.

Lulzim Basha tha se Edi Ramës i ka mbetur në dorë timoni sepse makina e tij është copë-copë dhe nuk ka as motor. Unë nuk do jem Kryeministër i pallavrave të “Facebook”-ut, por Kryeministër i halleve tuaja”, u shpreh Basha.

“Po i mbushin 10 ditë në fushatë, ende se ka thënë akoma fjalën ekonomi, një herë se ka përmend punësimin. Mendjen e ka tek timoni, por makina është copë-copë, s’ka as motor. Këtij i ka mbetur timoni në dorë”, tha kreu i PD-së.

Lulëzim Basha përdori këtë batutë për të përshkruar gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare dhe atë që e quan qeverisje fasadë të socialistëve në këto katër vite.

“A ka mbajt ndonjë premtim këtu në Elbasan? Kush nga ju ka gjetur punë këto katër vite? Kush nga ju që ka biznes paguan me pak taksa? Kush e paguan faturën e energjisë më pak? Kush është i kënaqur me spitalin? Të paktën palma keni”, tha Basha.

Kreu i PD-së iu referua eksperiencës personale kur tha se ashtu si ai çdo i ri dhe e re shqiptare meriton një shans.

“Si student në universitetin e Utrehtit m’u dha mundësia përmes punës time dhe ia dola të siguroj vlerësimet më të larta në organizatat ndërkombëtare ku punova. Nxora një mësim të madh që e pashë  tek çdo i ri dhe e re shqiptare dhe mësimi është shqiptarët duan punën, jepu mundësinë edhe ata do shkëlqejnë. Tani është radha ime të luftoj ditë e natë që këtë mundësi ta ketë çdo qytetar, çdo i ri”, tha kreu i PD.

Basha u prezantoi qytetarëve të Elbasanit programin e tij ekonomik që synon uljen e taksave dhe mbështetje për prodhuesit vendas.

“Taksa të ulëta, mbështetje për bizneset që hapin vende pune. 10 mijë stazhe për të rinjtë çdo vit të paguara nga shteti. 100 milionë, 1 përqind e prodhimit të brendshëm bruto, 100 milionë euro subvencione për fermerët. Këto janë masat e vërteta, pa tallava, pa demagogji, pa cirk, pa lojëra, që unë do të vë në funksion për të kthyer rrotën e ekonomisë shqiptare, për t’iu dhënë shqiptarëve bashkë me “Republikën e re” një ekonomi të fortë që punëson dhe zhvillon”, tha Basha nga Elbasani.

Top Channel