Basha: Do të jem kryeministri i ekonomisë

04/06/2017 00:00

Dalja e Edi Ramës duke luajtur basketboll është përdorur nga Lulzim Basha si simbolika se në këto 4 vite, Rama ka bërë kosha në kurriz të qytetarëve, por tashmë është koha e qytetarëve që t’i kthejnë reston.

“Çdokush mund të luajë basketboll, edhe Edi Rama është në të drejtën e tij të luajë basketboll, por basketbolli që ka luajtur këto 4 vite, ka shënuar kosh pas koshi kundër popullit të tij, kundër qytetarëve, kundër ekonomisë, kundër punësimit, kundër rritjes së pensioneve, kundër shëndetësisë. Kjo shfaqje duhet të ndalojë dhe kjo shfaqje do të ndalojë. Më 25 qershor është radha e shqiptarëve t’i bëjnë kosh Edi Ramës dhe të marrin Shqipërinë në dorë”, tha Basha.

Për të treguar se ai nuk do të jetë si Edi Rama, sërish Basha ka përdorur të njëjtën simbolikë: “Nuk do të jem kryeministri i lojrave me dorë apo me këmbë, por do të jem kryeministër i ekonomisë, kryeministri i punësimit, kryeministri i një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar”.

Nga Cërriku, ku prezantoi platformën e “Republikës së Re”, ku në themel të saj është ekonomia, kreu i opozitës nuk kurseu sulmet dhe kritikat për të gjithë klasën politike të 27 viteve të fundit.

“Republikë e Re që do të thotë se do t’i japim fund maskaradës së këtyre 4 viteve dhe teatrit të kukullave që është luajtur tash e 27 vite, me politikanë, me fasada, me shfaqje ku qytetarët gjithmonë kanë qenë tek “ara e Tares”, që asnjëherë nuk arritën të përfitojnë frytet e demokracisë sepse pemën e demokracisë e mori në dorë vetëm një grusht politikanësh që e përdori për pushtetin e tyre, për pasurimin e tyre, për qejfet dhe tekat e tyre, ndërsa populli mbeti me gisht në gojë”, deklaroi Basha.

Top Channel