Vasili: Drejtimi i ri është i LSI. 250 mln euro në vit për bujqësinë

03/06/2017 00:00

Ilir Meta dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili zhvilluan një takim elektoral pasditen e sotme me banorët e Lushnjës.

Vasili premtoi se bujqësia do të jetë fjala e parë e programit të LSI për zhvillim. Ai tha se bujqësia do të ketë 250 milionë euro në vit investime nga shteti. “Do të bëjmë që prodhimi shqiptar të dyfishohet, ky është transformim ekonomik dhe shoqëror”, tha Vasili.

Për sa i përket biznesit, Vasili tha se do të ketë 3 herë taksa më të ulëta për biznesin e vogël, taksa dy herë më të ulëta për biznesin deri në 100 mln lekë dhe 40 përqind më të ulëta për bizneset mbi 100 milionë lekë xhiro.

Vasili përsëriti edhe një herë se 100 mijë vende të reja pune do të jenë vetëm për të rinjtë.

Ndërkohë, Meta theksoi se LSI-ja është forcë e parë që do të ulë taksat dhe do të hap vende të reja pune. Meta tha se në krye të listës së Fierit është Kryeministri i ardhshëm i vendit, Petrit Vasili.

Top Channel