Fushata, Bushati kundër LSI. Luan Rama: LSI, modeli i të rinjve

03/06/2017 00:00

Ministri Ditmir Bushati lëshoi akuzën e radhës ndaj LSI. Nga Shkodra, teksa prezantoi kandidatët e PS në këtë qark, Bushati sulmoi hipotekën e qytetit, institucion i drejtuar nga zyrtarë të LSI.

“Ka ende njerëz që parkojnë në rresht për 2 apo për 3, apo shpesh na thonë qytetarët ‘shikoni X hotel apo X biznes, që nuk paguajnë dritat’, apo na ftojnë të shkojmë tek hipoteka dhe shikon që flamuri i partisë është më i rëndësishëm se flamuri i Shqipërisë”, deklaroi Bushati.

Tahiri: Kundër partive të vjedhjes

Akuzat ndaj LSI i vijoi edhe kreu i kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, Saimir Tahiri, gjatë një takimi me banorët e njësisë 1 dhe 2 në kryeqytet. Tahiri tha se shqiptarëve nuk u duhen parti që i ngjiten pushtetit në dëm të interesit të qytetarëve.

“Ne nuk na duhen ato alternativa, ato partiçka që shkojnë pas pushtetit, pas pushtetit dhe pas pushtetit e nuk e njohin kurrë opozitën, por i ngjiten pushtetit vetëm për të vjedhur popullin”, tha Tahiri.

Luan Rama: LSI, modeli i të rinjve

Luan Rama ishte në Malësinë e Madhe, ku prezantoi kandidatët për deputetë të LSI për qarkun e Shkodrës. Nënkryetari i kësaj force politike tha se LSI është e vetmja që i kushton më shumë vëmendje rinisë.

“Lëvizja Socialiste për Integrim është pa dyshim forca politike që ka bërë, që po bën dhe do të bëjë më shumë se çdo forcë tjetër politike për rininë. Sepse investon te rinia, sepse e do rininë, e do atdheun. Të rinjtë e Shqipërisë kanë tek LSI-ja dhe LRI-ja modelin e angazhimit të të rinjve në të mirë të vetes së tyre, të komunitetit dhe në të mirë të vendit të tyre. Rinia dhe e gjithë Shqipëria ka nevojë për punë”, tha Rama.

Top Channel