Reagimi i Jozefina Topallit kundër vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga lista e deputetëve ishte i pritshëm.
“Kam pasur një dyshim prej kohësh se kjo nuk është PD. Sot nuk kam asnjë dilemë. Kjo nuk është PD dhe lista është në tërësinë e saj. Me pak përjashtime, lista e familjes Basha, bizneseve të tyre dhe klientëve të tyre”, deklaroi Topalli.
Por bashkimi i saj me Arben Imamin për sharkimin e Lulzim Bashës ishte surprizë. “Ne kërkojmë si zgjidhjen e vetme në këtë situatë mbledhjen e forumeve dhe sharkimin e personit përgjegjës që në këtë rast është kryetari i PD. U bëjmë thirrje kolegëve të ecin në këtë drejtim, sepse nuk ka kohë”, tha Imami.
Topalli, një kundërshtare e fortë e Imamit kur ai tentoi të garonte si sekretar i përgjithshëm në Partinë Demokratike në 2007-n, tani ndan të njëjtin mendim me të për mënyrën sesi Basha po drejton opozitën. Dhe të dy iu përgjigjën njësoj pyetjes, nëse ky qëndrim kundër Bashës e dëmton Partinë Demokratike në kulmin e fushatës elektroale.
“Ndihma më e madhe ndaj Edi Ramës ka qenë, është dhe do të jetë, nëse do ta mbajë peng PD, vetëm Lulzim Basha. Ndaj ne jemi ketu”, tha Topalli.
“Nuk mund të largohet Edi Rama duke shkatërruar PD-në. Nuk mund të rrëzohet Edi Rama kështu dhe e dimë që më 26 qershor do të jetë shumë vonë. Kjo është një listë humbëse”, tha Imami.
Të dy e akuzuan Bashën për vendimmarrje personale, të pakonsultuar me forumet, që ka përjashtuar nga lista fituese si kurrë në 27 vjet, edhe Forumin Rinor të Partisë Demokratike dhe prurjet e reja.
“Mungojnë të rinjtë e partisë. Nuk flasim për themeluesit dhe qëndrestarët, por edhe ata pas 2013-s”, tha Imami.
Jozefina Topalli, një bashkëpunëtore besnike e Sali Berishës në 20 vitet e fundit, nuk i dha një përgjigje të prerë si Arben Imami, pyetjes nëse është konsultuar tani me Berishën për këtë lëvizje kundër Bashës.
“Zoti Berisha i di të gjitha mendimet e mia. Ia kam thënë ndër vite”, u përgjigj Topalli. Por a synon Jozefina Topalli të zërë vendin e Lulzim Bashës?
“Jo zonjë, nuk synoj asgjë. PD me ka dhënë çdo gjë dhe i jam mirënjohëse deri në fund. Nuk mund ta shoh PD të katandisur e të përçarë nga Basha për interesat klienteslite nga të cilat unë turpërohem”, tha Topalli.
Topalli dhe Imami nuk ishin të qartë se çfarë rruge do të ndjekin për të realizuar qëllimin e tyre, shkarkimin e Bashës përpara zgjedhjeve, por lëvizjes së tyre iu bashkuan menjëherë disa deputetë dhe ish-drejtues të lartë demokratë.
Në një foto të siguruar nga Top Channel, me Topallin dhe Imamin janë Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Keltis Kruja dhe më vonë edhe Ridvan Bode, të gjithë me një marrëdhënie të vështirë mes tyre si në pushtet dhe në opozitë, por që tani janë bashkuar nga plani për shkarkimin e Bashës në kulmin e fushatës elektorale.
Top Channel