Ndryshojnë datat e provimeve. Kritere të reja për maturantët

22/05/2017 00:00

Marrëveshja politike ndryshon një nga datat e provimeve të maturantëve. Përcaktimi i datës së zgjedhjeve më 25 qershor ka lëvizur më datë 23 të këtij muaji provimin e lëndës me zgjedhje.

“Një pjesë e madhe e shkollave janë mjediset e zgjedhjeve, që 24 orë më parë këto mjedise duhet të jenë në shërbim të këtij procesi. Kështu që matura është lëvizur me një ditë”, deklaron Rezana Vrapi.

Këtë vit është përmirësuar dhe skema e pranimit të studentëve të rinj në universitete. Për 2017-n janë parashikuar vetëm dy raunde dhe janë shkurtuar afatet ndërmjet tyre.

“Ky regjistrim do të bëhet brënda një raundi, që ndryshe nga viti i kaluar do të pasohet nga disa faza. Janë 7 të tilla, 48-orëshe, që do të thotë se kur aplikanti është shpallur fitues mund të shkojë pranë sekretarisë mësimore dhe të bëjë regjistrimin”, sqaron Vrapi.

Por ndryshe nga një vit më parë, studenti nuk i humbet shanset nëse është regjistuar në një degë dhe nuk e preferon atë.

“Pasi ka bërë kalkulimet e duhura dhe kupton se ka shanse në një program tjetër, ai mund të bëjë çregjistrimin dhe të bëjë aplikimin e dytë”, saktëson Vrapi.

Gjatë muajit korrik do të nisë aplikmi i maturantëve në portalin e-Albania, për degët që preferojnë dhe më pas më 29 gusht nisin të dalin emrat e fituesve.

Top Channel