Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të vendosë datën e zgjedhjeve në konsultim me KQZ-në. Pasi u takua me përfaqësuesit e partive politike mëngjesin e së enjtes, kreu i shtetit kosovar deklaroi se data do të jetë 11 ose 18 qershori.
“Dëgjova opinionin e 20 partive politike dhe si President që jam, do ta respektoj. Në ditët e ardhshme do të caktoj datën e zgjedhjeve në konsultim me KQZ-në”, deklaroi Thaçi.
Shumica e përfaqësuesve të partive politike propozuan 11 qershorin në një tryezë të përbashkët, ku ndodhej kryetarja e KQZ-së, por mungonte partia e kryeministrit në detyrë, LDK.
Pak minuta para takimit, Isa Mustafa postoi një mesazh në rrjetet sociale, ku njoftonte mbledhjen e kryesisë gjatë ditës.
“LDK e fuqishme dhe unike do të ofrojë perspektivën më të mirë për Kosovën. Do të mbledhim rreth vetes të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi. Vullneti i LDK-së i gërshetuar me interesat e vendit, kapërcen çdo interes tjeter!”, shkruan Mustafa në rrjetet sociale.
Presidenti Hashim Thaçi shpërndau dje legjislaturën e pestë të Parlamentit të Kosovës, menjëherë pas rrëzimit të qeverisë me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenime.
Top Channel