Armatosja e kurdëve, Turqia denoncon vendimin e SHBA: I papranueshëm

10/05/2017 00:00

Ndodhi ajo që pritej. Zv.kryeministri turk ka reaguar vetëm pak orë pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të armatosur kurdët që luftojnë me militantët e Shtetit Islamik në Siri, duke e quajtur atë të papranueshme.

Armatosja e Njësive Mbrojtëse Popullore (YPG) nuk do të ishte përfitues, deklaroi Nurettin Canikli për televizionin “A Haber”. Ankaraja zyrtare thekson më tej se YPG-ja është thjesht një zgjatim i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një organizatë e konsideruar terroriste nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Kryengritja e PKK-së për të siguruar autonominë e kurdëve në Turqi ka lënë të vdekur mijëra persona.

Uashingtoni, ndërkohë, thotë se luftëtarët e “YPG”-së janë tejet decizivë në operacionin për të rimarrë bastionin e Shtetit Islamik në Siri, qytetin Raqqa. Janë pikërisht ata që udhëheqin Forcat Demokratike Siriane (SDF), një aleancë mes milicive kurde dhe arabe, që ka zmbrapsur militantët e Shtetit Islamik nga rreth 6.000 kilometrat katrorë në veri të Sirisë përgjatë dy viteve të kaluara, me ndihmën e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe këshilltarëve ushtarakë amerikanë.

Të martën, zëdhënësja e Pentagonit, Dana White njoftoi se presidenti Donald Trump ka autorizuar “armatosjen e elementëve kurdë të Forcave Demokratike Siriane, një lëvizje e domosdoshme për të siguruar një fitore të qartë” mbi Shtetin Islamik në Raqqa.

White theksoi gjithashtu se Pentagoni ishte “tejet i vetëdijshëm” ndaj shqetësimeve të Turqisë. “Ne duam të sigurojmë popullin dhe qeverinë turke se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të parandaluar rreziqe të mëtejshme të sigurisë dhe për mbrojtjen e aleatit tonë në NATO”.

“SHBA vazhdon të ketë prioritet mbështetjen ndaj elementëve arabë të SDF-së. Raqqa dhe i gjithë territori duhet t’i kthehet qeverisjes lokale të arabëve sirianë”, shtoi më tej zëdhënësja.

Pentagoni, në të kaluarën ka armatosur vetëm elementët arabë të SDF-së. Por mëngjesin e së mërkurës, qeveria turke denoncoi vendimin e Amerikës.

“Ne nuk mund të pranojmë praninë e organizatave terroriste që mund të kërcënojnë të ardhmen e shtetit turk”, tha Canikli. “Shpresojmë që administrata amerikane do të ndalet përpara këtij gabimi dhe do ta kthejë mbrapsht atë. Një politikë e tillë nuk do të sjellë përfitime. Nuk mund të jemi në të njëjtin thes me organizatat terroriste”, tha ai.

Top Channel