Ndaj dy efektivëve të policisë, që hapën zjarr mbi një afrikano-amerikan në Louisiana të Shteteve të Bashkuara verën e kaluar, nuk do të ngrihen akuza penale.
Vrasja e Alton Sterling shkaktoi protesta të dhunshme në Baton Rouge dhe një hetim mbi të drejtat civile u hap shumë shpejt, pasi 37-vjeçari gjeti vdekjen përpara dyqanit ku shiste CD.
Një seri incidentesh të ngjashme ndezën asokohe debate të ashpra mbi përdorimin e tepruar të forcës nga ana e policisë.
Baton Rouge u trondit nga trazirat, që paraprinë një seri javësh të vështira për Amerikën, në shkëndijën e të cilave u kthyen pikërisht problemet racore.
Një ditë pas përballjes fatale për Sterling, një shofer me ngjyrë u qëllua për vdekje nga policët në Minnessota, ndërsa ndodhej në makinën e tij. Po atë javë, 5 oficerë policie u ekzekutuan në Dallas, e disa ditë më vonë, 3 efektivë u vranë në një pritë në Baton Rouge, episod ky që u hodhi zjarr të ri tensioneve të përshkallëzuara në atë komunitet.
Vendimi federal për të mos i gjykuar dy policët e përfshirë në rastin “Sterling” vjen me një administratë të re amerikane dhe një kryetar të ri të Departamentit të Drejtësisë, prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, që shteti i Louisianës nuk mund të paraqesë një padi të tijën.
Top Channel