Rama: PD do hyjë në zgjedhje; Basha: Shtiret sikur e ka hallin te PD

30/04/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama duket se bën ftesën e fundit për Partinë Demokratike. Ndryshe nga çdo e dielë, sot pa zë dhe figurë, por përmes një shënimi në faqen e tij në Facebook, Rama thotë se është gati në çdo moment për të pritur Bashën për të negociuar kthimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 18 qershorit.

Ai shpreh bindjen se PD do të kthehet në zgjedhje, ndërsa thotë se kërkon që Bashën ta lërë të qetë këto 48 orët e fundit.

Pas tij ka reaguar edhe Lulzim Basha, i cili po përmes rrjetit social Facebook shkruan se “Edi Rama u shtir gjatë së dielës sikur ka hallin e PD, por ne kemi zgjedhur lirinë dhe ai nuk mund të na blejë dot”. Mbrëmë kemi regjistruar skuadrën e re përfaqësuese të Partisë Socialiste. Jemi plotësisht gati të nisim finalen e madhe të këtij mandati dhe hapim një kapitull të ri për Shqipërinë që duam. Me forca të ripërtërira. Me më shumë eksperiencë. Më shumë gjak të ri. Me vendosmëri ende më të madhe se katër vjet më parë.

Por ndryshe nga katër vjet më parë, kemi përballë jo një qeveri të diskredituar, po një opozitë të konsumuar. Të njëjtët njerëz që e çuan Shqipërinë në rrugën e rrënimit, po e çojnë Partinë Demokratike në rrugën e asgjesimit.

Unë vazhdoj ta kem thuajse bindje se Partia Demokratike do të ndalet mu në buzë të humnerës dhe do të kthehet për të hyrë në zgjedhje. Kudo ku ka marrë një gjë në dorë, Lulëzim Basha ka bërë një dëm të madh dhe kjo është e vetmja arsye që ma bën bindjen të paplotë.

Sot do të doja ta shpjegoja këtë gjatë Komunikimit Javor, por vendosa të mos e bëj. Dua ta lë Lulëzim Bashën të qetë në këto 48 orë të fundit, të cilat vendosin nëse Partia Demokratike do të marrë kthesën e shpëtimit apo do të tretet në humnerën e vetëshkatërrimit.

Mbetem natyrisht i gatshëm ta pres kryetarin e PD-së në çdo moment, për të negociuar rikthimin e partisë së tij në fushën e betejës demokratike të 18 qershorit. Përndryshe Partia Demokratike kështu siç e njohim, do të jetë më shpejt se vonë një kujtim i së kaluarës.

Statusi i plotë i kreut të opozitës, Lulzim Basha
E gjithë karriera e Edi Ramës është ngritur mbi blerjen e të gjithëve dhe çdo gjëje, të partisë, të aleatëve, të partnerëve, të bizneseve, të mediave, të shoqërisë civile. Me zhagen e lejeve të ndërtimit, të koncesioneve, të favoreve, të parave publike, Edi Rama ka blerë rrugën e tij deri në majën e pushtetit.

E vetmja që nuk ka blerë dot ndonjëherë Edi Rama ka qenë Partia Demokratike. Dje pasi mbylli edhe pazaret e fundit me ata që shiten dhe blihen, pasi bëri një listë kandidatësh me deputetë pasuria e të cilëvë e kalon edhe prodhimin kombëtar të Shqipërisë, Edi Rama kuptoi se prapë nuk mund të blejë dot pluralizmin dhe demokracinë, sepse demokratët e vërtetë nuk u shitën. Ndaj me dinakërinë e tij të zakonshme sot u shtir sikur ka hallin e Partisë Demokratike.

Partia Demokratike ka zgjedhur lirinë, pluralizmin dhe demokracinë e vërtetë. Kjo është kauza e drejtë, ky është shërbimi më i madh për popullin dhe për të ardhmen Europiane të Shqipërisë. Partia Demokratike do të dalë më e fortë nga kjo betejë, ndërsa Shqipëria do të ketë Republikën e Re, të vërtetë dhe perëndimore.

Top Channel