Listat e PS, largohen të vjetrit. Vlorë, Rama i gjashti. Ruçi, i nënti në Fier

30/04/2017 00:00

Jo pak mbetën të befasuar nga lista e kandidatëve, me të cilët Partia Socialiste do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Një numër i madh deputetësh aktualë nuk janë nëpër lista, duke u zëvendësuar nga emra të rinj në politikë.

E pikërisht me falenderimin e atyre që nuk janë më, e nisi fjalimin e tij edhe kreu i PS-së, Edi Rama.

“Duke filluar nga Namik Dokle, duke vazhduar me Valentina Leskajn, padyshim Arta Daden dhe të gjithë të tjerët me radhë. Duke pasur parasysh edhe një kuadër të ri ligjor, ne kemi përfshirë në këtë proces përzgjedhjeje edhe përpjekjen për të verifikuar përputhshmërinë e plotë të të gjithë figurave të skuadrës sonë përfaqësuese, me ligjin e pastërtisë së figurës së shërbëtorit publik”, deklaroi kryeministri Rama.

Por sfida më e madhe e vet Ramës dhe Partisë Socialiste, ishte vendosja e Ramës si i gjashti në Qarkun e Vlorës dhe Gramoz Ruçit, si i nënti në Qarkun e Fierit. E për këtë, Rama dha edhe një shpjegim.

“Nuk është ftesë për Partinë Demokratike. Është bindje, qoftë e imja, qoftë edhe e Gramozit, se kush ka përgjegjësi më të mëdha duhet të marrë edhe, risku nuk është fjalë e duhur, por duhet të japë shembullin se përgjegjësia është përgjegjësi”, deklaroi kryeministri Rama.

Në fund, kreu i qeverisë, edhe njëherë shprehu bindjen se Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhje.

“Unë vazhdoj të mendoj se Partia Demokratike do të hyjë në zgjedhje. Do të mund t’i krijojmë PD-së dhe partive të tjera rreth saj, mundësinë që të regjistrohen. Natyrisht në formatin aktual, secili më vete, edhe jashtë afatit. Unë jam i përgatitur që të them ‘po’ edhe për të gjitha kërkesat e parashtruara në platformën e kompromisit nga miqtë e Partisë Demokratike, të Partive Popullore Europiane, duke përjashtuar sigurisht afatin e zgjedhjeve, që s’ka më kuptim të shtyhet”, përfundoi Rama.

Top Channel