Regjistrimi i kandidatëve, PD: U shkel ligji; KQZ: Gjithçka ligjore

29/04/2017 00:00

Demokratët dhe KQZ janë përplasur sërish për afatet ligjore për zgjedhjet e 18 qershorit. Për PD, afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve ka skaduar mesnatën e të premtes.

Oerd Bykybashi tha se çdo regjistrimit përtej afatit prej 49 ditësh, duke përjashtuar vetë ditën e zgjedhjeve është i paligjshëm.

“Është data 29 në ora 00.00 sot në mëngjes e për rrjedhojë cdo regjistrim që do të bëhej gjatë ditës së sotme do të ishte I paligjshëm. Kqz nuk ka asnjë mundësi ligjore më të regjistrojë lista, nëse e bën është duke shkelur ligjin. KQZ dhe askush tjetër nuk ka asnjë mundësi ligjore për të ndryshuar kodin. Dhe nqs e bën do të jetë haptazi jo vetëm paligjshmëri, por edhe një veprim i njëanshëm politik partizan”, tha deputeti demokrat.
 
Këtë qëndrim e përsëriti nga çadra e demokratëve edhe vetë Lulzim Basha.

“18 qershori është asgjësuar. Fakt është që afati ka skaduar nga mbrëmë dhe kjo tregon se ata sduan t’ja dinë as për ligj as për kodin zgjedhor”, tha Basha.

Por KQZ, në një dalje publike, ka sqaruar se sipas ligjit listat dorëzohen 50 ditë para zgjedhjeve dhe për institucionin zgjedhor ky afat përkon me mesnatën e 29 prillit.

“Afati 50 ditë para datës së zgjedhjeve, datës 18 qershor, korrespondon me datën 29 prill 2017. Afati 50 ditor para datës së zgjedhjeve llogaritet duke përjashtuar datën e zgjedhjeve. Kjo mënyrë përllogaritje e afateve tashmë është praktikë e ndjekur në të gjitha proceset zgjedhore të mëparshme. Data 29 prill si data e fundit për regjistrimin e listave shumëemërore të kandidatëve të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjetpër kuvendin e shqipërisë, është e deklaruar prej kohësh dhe e pranuar publikisht nga të gjitha forcat politike në vend”, tha Drilona Hoxha, zëdhënëse e KQZ-së.

Deri sonte në mesnatë të gjitha partitë e regjistruara në KQZ do të duhet të dorëzojnë listat shumemërore të kandidatëve.

Top Channel