Rama: PS, me ekipin më të mirë. PD ka ende shanse

29/04/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar me nota maksimale emrat e kandidatëve që do të garojnë në emër të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur pak momente pas publikimit të listave të qarqeve përkatëse, Rama e ka vënë theksin edhe tek përfaqësimi në PS të minoriteteve greke dhe maqedonase.

Duke qëndruar në këtë linjë, Rama i ka bërë thirrje klasës politike maqedonase që të respektojë në të njëjtën mënyrë komunitetin shqiptar, që në vendin fqinj luan një rol shtetformues.

Më tej Rama ka shprehur edhe shpresën e tij që Partia Demokratike të regjistrohet në zgjedhje, duke i ofruar mundësinë që edhe në zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës të shkojë me një kandidat dhe jo me një turmë njerëzish të manipuluar.

Deklarata e plotë e Edi Ramës:

“Këto janë ekipet përfaqësuese që do të zbresin në fushë në zgjedhjet e 18 qershorit. Mirënjohje për të gjithë deputetët që kontribuan. Faleminderit Namik Dokles, Valentina Leskaj dhe Arta Dade, për ato që kanë bërë si përfaqësues të PS në Kuvend.

Skuadra e re përfaqësuese ka misionin jo thjesht të fitojë ndeshjen e 18 qershorit, por që edhe në këtë fazë të rrugëtimit tonë drejt Shqipërisë që duam ne të dalim faqebardhë.

Është një skuadër që harmonizon mosha, eksperienca, treva, komunitete. Falenderoj edhe të gjithë udhëheqësit e qarqeve që kanë bërë një punë të lavdërueshme si asnjëherë më parë.

Seleksionimi ka qenë rigoroz, por këtë herë, duke pasur parasysh një kuadër të ri ligjor kemi përfshirë në këtë proces përpjekjen për të verifikuar përputhshmërinë e plotë të figurave tona me ligjin e pastërtisë të shërbëtorit publik.

Në mënyrë shumë rigoroze është shqyrtuar në cdo detaj CV-ja e cdo kandidati e kandidateje. Sot, me plotë gojën mund t’u themi njerëzve se jemi gati të fillojmë fazën finale të ballafaqimit.

Janë dy elementë që unë duhet t’i nënvizojë: përfshirjen e përfaqësuesve të denjë të komunitetit minoritar grek në skuadrën tonë, përmes një figure të njohur e të respektuar, Andrea Marto; dhe përfshirjen e një zonje nga komuniteti i vogël maqedonas.

Nënvizoj se jam shumë krenar për Shqipërinë që kemi, ku kemi një dallim ku respektohen minoritetet. Pas atyre që kemi parë në vendin fqinj shpresoj se askush nuk do të ndihet i provokuar kur them se një komunitet me pak mijë banorë ka përfituar duke u kthyer në bashki më vete; dhe besoj se jemi në të drejtën tonë që t’i kujtojmë fiqnjve tanë maqedonas se shqiptarët në Maqedoni nuk janë një minoritet, por popullsi shtetformuese të gëzojnë respektin, liritë dhe të drejtat 100 për qind të barabarta me maqedonasit.

Ne duam një Maqedoni stabël, të zhvilluar ekonomikisht dhe demokratikisht. Shpresoj se PD do të hyjë në zgjedhje. Kjo nuk është një iluzion por një bindje reale”, ka deklaruar Rama.

Top Channel