Meta “nis” negociatat: Rama më kërkoi të marr detyrën

28/04/2017 00:00

“Nuk jam i lumtur, por jam shumë i nderuar që jam votuar nga Kuvendi për t’i shërbyer Republikës së Shqipërisë si president”.

Arsyeja përse Ilir Meta nuk është i lumtur ditën e zgjedhjes si president lidhet me opozitën.

Mospjesëmarrjen e saj në zgjedhje, presidenti i zgjedhur e lidh me stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve. Megjithatë, Ilir Meta duket se nuk ka hequr dorë nga roli i ndërmjetësuesit me opozitën. Por shpresat më të mëdha nuk i ka te Lulzim Basha.

TCH: A ju ka munguar një urim nga ish-kryeministri?

“Do të doja shumë të besoja tek eksperienca e tij dhe shumë politikanëve të tjerë në Partinë Demokratike. Pa dyshim, pa përjashtuar edhe vet kryetarin Lulzim Basha”, deklaroi presidenti i zgjedhur Meta.

Roli i ish-kryeministrit te vendimet e Bashës ka mbetur në hije deri tani, por ajo çfarë Ilir Meta zbuloi është roli i kryeministrit në zgjedhjen e tij president.

“Jam motivuar në këto 48 orë për të pranuar këtë pozicion. Zoti Rama prej kohësh ka qenë promovues i kësaj ideje dhe i zgjedhjes sime si President i Republikës”, deklaroi më tej Meta.

Tani që Meta është president, një këshillë do ta marrë edhe nga bashkëshortja politikane, Monika Kryemadhi, e cila e ka marrë që tani vendimin, nëse do të jetë apo jo Zonjë e Parë.

“Unë jam deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Zonja e Parë nuk ekziston në Kushtetutën e Shqipërisë, kështu që mos u shqetësoni, sepse Shqipëria nuk është një vend aq i pasur, sa të krijojë edhe institucione të tilla. Mendoj që vendi ka nevojë për stabilitet dhe ka nevojë për një garanci për të mos u bërë si Maqedonia”, deklaroi për mediet Monika Kryemadhi, deputete e LSI-së dhe bashkëshorte e presidentit të zgjedhur, Ilir Meta.

Top Channel