Ramush Haradinaj, i lirë

27/04/2017 09:00

“Tani jam i lirë. Është refuzuar kërkesa për ekstradimin tim në Serbi. Po shpresoj që do të kthehem sot në Kosovë. Tani do të shkoj për të marrë pasaportën në Strasburg, pasi ka ende disa procedura të vogla”.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kjo është fitore e të gjithë shqiptarëve. Gjykata franceze e Kolmarit e hodhi poshtë kërkesën serbe për ekstradimin e ish-komandantit të UÇK-së për zonën e Dukagjinit, të cilin Prokuroria Serbe e akuzonte për krime lufte. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj mbahej në  Francë në liri me kusht prej 4 muajsh, pasi u arrestua në aeroportin e Bazelit, mbi bazën e një fletë-arresti serb të vitit 2004. 

Para selisë së AAK-së në Prishtinë, vendimi është pritur me fishekzjarre, ndërsa raportohet se festa jashtë në rrugët e kryeqytetit kosovar është shoqëruar edhe me të shtëna armësh. Nga selia e partisë opozitare në Kosovë sqarojnë se ndryshe nga 5 vite më parë, kur kryeministri i kohës, Hashim Thaçi e priti me ceremoni në aeroport pas kthimit nga Haga, kësaj radhe nuk do të pranojnë pritje qeveritare, dëshirë të cilën edhe Haradinaj e ka shprehur nga Franca.

Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së, tha: “Pritja do të jetë qytetare, popullore, jo qeveritare. Këtë herë nuk ka tapet të kuq, këtë herë nuk do të mund të përfitojë askush nga rasti Haradinaj. Ka ndodhur një herë që e kanë keqpërdorur dhe këtë herë Haradinaj do të pritet nga qytetarët e Kosovës, nga bashkëluftëtarët e tij, nga ata që e duan, nga populli që është i gëzuar. I besojmë lirimit të tij dhe vendimit të sotëm, nuk do të ketë pritje politike qeveritare”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e përshëndeti vendimin si një lajm të mirë për Kosovën, që edhe një herë vërtetoi se shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike. Ndërsa, sipas qeverisë së Kosovës, fletë-arrestet serbe kundër Haradinajt dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta. Kabineti i Isa Mustafës premton çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA