Rama: PD kërkon kthimin në Kavajë me anë të forcës

27/04/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama ka qenë pasditen e së enjtes në Kavajë, për takimin e radhës me të rinjtë që votojnë për herë të parë.

Në fjalën e tij në mitingun e zhvilluar, Rama ka deklaruar se nën qeverisjen e majtë Kavaja u kthye në simbolin e ndryshimit.

“Ky është sheshi simbol i ndryshimeve të mëdha. Pas 25 vitesh braktisje Kavaja doli në shesh për të gjetur Rilindje”, ka thënë Rama.

Ai ka akuzuar qeverinë e mëparshme se e la në harresë këtë qytet dhe se tani kërkon të rikthehet përmes forcës.

“PD asgjë nuk bëri për Kavajën, e la atë pa asnjë mbështetje. Sot duan të kthehen për ta futur Kavajën në konflikt, për të përplasur qytetarët”, ka thënë Rama.

Duke shprehur besimin se, “demokratët e ndershëm nuk do të pranojnë të bëhen mish për topat e kësaj marrëzie”, kreu i qeverisë ka ritheksuar nevojën për votimin e reformës në drejtësi, e bllokuar tek vettingu.

“Drejtësia na duhet për ta bërë Shqipërinë shtet. Për të rritur ekonominë dhe punësimin duhet drejtësi. E drejta nuk blihet e as shitet, ajo na bën njerëz të barabartë në një vend demokratik”, ka thënë Rama.

Top Channel