Kakavijë, krijuan lehtësi për kalimin e kamionit me kanabis; 3 të arrestuar

26/04/2017 09:15

Një doganier dhe dy inspektorë policie në Pikën Kufitare të Kakavijës janë arrestuar për kalimin e më shumë se 1 ton hashash drejt Greqisë në muajin shkurt.

Në kërkim janë shpallur edhe një koleg i tyre, si dhe drejtuesi i kamionit Qamil Muçaj, nga Hekali i Fierit. Ai ka braktisur më datë 17 shkurt kamionin me 1.1 tonë kanabis në pjesën greke të doganës së Kakavijës, kur u zbulua droga e fshehur e cila nuk ishte kapur nga autoritetet shqiptare. Pas raportimeve, prokuroria zbuloi se punonjësit e pikës shqiptare kshin lejuar kalimin e kamionit duke mos ushtruar kontroll te kamioni.

Edhe pse i kanë plotësuar formularët për kalimin e tij, rezultoi se punonjësit policorë dhe doganorë nuk kanë kryer kontrollin me skaner, i cili do të kishte evidentuar lëndë narkotike në pjesën e përparme të karrocerisë. Kamioni nuk është peshuar  dhe nuk është matur gjatësia e jashtme e karrocerisë. Diferenca midis dy gjatësive do të ishte e mjaftuashme për të kuptuar se në karroceri ka ndërhyrje. Nuk është bërë kontrolli me qenin antidrogë  dhe nuk është vlerësuar fakti se dretuesi i kamionit në mënyrë të përsëritur i është nënshtruar kontrollit në kufi së bashku me kamionin që drejtonte, mbi dyshimet se merret me aktivitet të kundraligjshëm.

Për këto arsye, në bazë të hetimeve të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e miratuar nga Gjykata për Krime të Rënda, për disa persona, të dyshuar për veprën penale të “trafikut të narkotikëve”, në bashkëpunim. Masat e sigurimit janë ekzekutuar për Ylli Rrustemin (doganier) dhe inspektorë Vladimir Skraparlliu dhe Blerim Mëhilli. Në kërkim është shpallur kolegu i tyre, Klement Budo.

Top Channel