Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e shtyu afatin e regjistrimit të partive dhe koalicioneve siç kërkonte PS e LSI. Kërkesa u diskutua por nuk u morr parasysh.

“Ne nuk kemi pse të marrim vendim në lidhje me këtë kërkesë. Është një kërkesë sui generis dhe KQZ nuk mund të vendosë”, deklaroi kryetari Denar Biba.

Kërkesa u bë për t’i dhënë mundësi dialogut dhe opozitës për të hyrë në zgjedhje. E gjithë skena politike aktuale i ngjan një ekuacioni që ka disa përfundime. Po cilat janë ato?

E para është që në zgjedhjet e 18 qershorit të shkojnë vetëm partitë e regjistruara, të cilat janë PS, LSI, PDIU dhe disa parti të tjera, të cilat nëse marrin mbi 3 për qind të votave në rang kombëtar do marrin edhe deputetë.

Varianti i dytë do ishte që në përpjekje për t’i dhënë kohë opozitës, PS dhe LSI të ndryshonin Kodin për të hapur afatet, por kjo sipas PD do sillte ndëshkimin nga OSBE-ODIHR për ndryshim të rregullave të lojës gjatë lojës.

Varianti i tretë do ishin zgjedhjet e parakohshme për shkak të moszgjedhjes së presidentit. Raundi i dytë i zgjedhjes u dogj këtë të enjte. “Edhe raundi i dytë konsiderohet i ezauruar”, njoftoi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta në mbyllje të seancës.

Nëse digjen të gjitha raundet, sipas Kushtetutës, shkohet në zgjedhje të parakohshme. Në këtë rast, të gjitha procedurat e deritanishme shpallen nul dhe fillojnë nga e para.

Pra, regjistrimet nga komisionet e deri tek koalicionet. Data e zgjedhjeve të reja, për shkak të afateve do të ishte e njëjta: ajo e 18 qershorit.

Por të enjten ama Ilir Meta tha se kjo nuk është zgjidhje. “Nuk e shikoj si një variant konstruktiv e të dobishëm dhe nuk është ky qëllimi”, tha Meta.

Varianti i fundit ngelet marrëveshja politike mazhorancë-opozitë. Kjo është edhe më e dëshiruara për të zgjidhur ekuacionin e vështirë të krizës. Por në këtë drejtim janë dy rrugë.

Opozita marrëveshjen e sheh si një rrugë për të krijuar qeverinë teknike e mbas kësaj plotësimin e kërkesave të saj. Nga mazhoranca marrëveshja shihet si një mundësi për të futur opozitën në zgjedhjet e 18 qershorit, duke ndryshuar bashkarisht afatet ligjore që i hapin rrugë regjistrimit të partive.

Cilat nga këto variante pritet të ndodhë? Kjo nuk dihet, por duket se palët në këtë konflikt politik kanë kthyer sytë nga vizita e zëvendëspresidentit të PPE, McAllister së shpejti në Tiranë për t’i dhënë zgjidhje.

Top Channel