Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk janë regjistruar si koalicion zgjedhor në ditën e fundit, kur duhet ta bënin këtë sipas afateve të përcaktuara në Kodin Elektoral.

Por kjo nuk i ka penguar dy partitë kryesore të koalicionit aktual të jenë së bashku në një kërkesë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të shtyjë me disa ditë afatin e regjistrimit të partive dhe koalicioneve.

Kryetarët e grupeve parlamentare që kanë firmosur letrën, Gramoz Ruçi dhe Luan Rama, e bazojnë kërkesën tek dhënia e një shansi më shumë “për të negociuar me opozitën për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë spektrit ekzistues politik të vendit në zgjedhjet parlamentare të datës 18 qershor”.

Por Partia Demokratike e ka hedhur poshtë këtë ofertë. Edhe Edi Paloka i nisi një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i shkruante të kundërtën e argumenteve të aleatëve qeveritarë.

Një vendim pro shtyrjes, sipas Partisë Demokratike, “jo vetëm është antiligjor dhe do ta përvijonte KQZ-në si institucion thellësisht politik në duart e qeverisë, por do të paragjykonte çdo lloj zgjidhje politike të krizës së thellë në vend”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë të enjten një vendim për këtë çështje, por cilido që të jetë vendimi, politikisht, palët duken shumë larg njëra-tjetrës.

Kjo u reflektua edhe në një reagim të kryeministrit Edi Rama, që e cilësoi kërkesën ndaj KQZ-së si një shprehje vullnetmirë e koalicionit PS-LSI. Kësaj radhe reagimi i Ilir Metës ishte i njëjtë me atë të kryeministrit.

“Kjo përpjekje për të vendosur një afat të ri për regjistrimin e partive dhe koalicioneve është një kontribut që jepet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Meta.

Që prej 2 prillit, kur kërkoi qeveri besimi, Ilir Meta nuk kishte folur njësoj me Edi Ramën për çështjen e zgjedhjeve. Kreu i LSI-së e shmangu përgjigjen kur u pyet nëse ende i qëndronte propozimit për qeverinë e besimt. Madje Ilir meta ka ndryshuar qendrim edhe ndaj opozites.

“Nuk dua ta mendoj që zgjedhjet mund të mbahen pa opozitën, por as nuk mund ta pranoj dhe nuk mund ta mendoj që opozita të mos bëjë përpjekjet e saj për t’u përfshirë në këtë proces përmes dialogut”, tha Meta.

Dialogu që pritet të ndodhë është ai i javës së ardhshme, kur palët politike presin që në Tiranë të vijë negociatori gjerman David McAllister. Letra Ruçi-Rama mund të shihet kështu si përpjekja e fundit për arritjen e një marrëveshjeje mes opozitës dhe qeverisë.

Por edhe si një gur për të vrarë dy zogj: ofruar tashmë një provë konkrete vullneti për bashkëpunim dhe shenjën e parë se tashmë PS dhe LSI po ecin gjithashtu drejt skenarit të zgjedhjeve, edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.

“Data për koalicionin skadon për pak orë. Hesapet e koalicionit le t’i bëjnë vetë. Por zgjidhja e vetme për zgjedhje të lira e të ndershme është qeveria teknike me mbështetje të gjerë politike, që të luftojë krimin, të nxjerrë kriminelët nga zyra, që të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme, me numërim elektronik, me votim elektronik. Ndryshe e keni të kotë, mos mendoni se ne do të tërhiqemi”, tha kryetari i PD, Basha në fjalimin e fundit nga çadra e protestës.

Top Channel