Burg për doganierët e drogës

19/04/2017 11:30

Maliq Kadilli është njëri prej të dyshuarve, i cili si agjent dogane në Qafë-Thanë ka lejuar udhëtimin e 8 tonëve drogë. Por, Kadilli u shpreh se nuk ishte detyra e tij të kontrollonte çfarë kishte në automjet, sepse ai firmosi procedurën e mëtejshme, duke iu referuar dokumentave që i depozitohen.

Kadilli u shpreh se dokumentat tregonin se kamioni do të udhëtonte drejt Belgjikës dhe se në të ndodheshin materiale ndërtimi. Por, prokurori tha se Kadilli bashkë me punonjës të tjerë të arrestuar si dhe të shpallur në kërkim janë pjesë e një grupi trafikantësh. Në total, për këtë operacion antidrogë dolën 18 persona, që të gjithë policë kufitarë, kontrollorë, agjentë antidrogë dhe doganierë. Ata dyshohen për trafik droge në dy episode, në të cilat janë kaluar ngarkesa me hashash përmes dy pikave kufitare.

Ish-punonjësit e Qafë-Thanës dhe të Portit Durrës dyshohen nga prokuroria të kenë bashkëpunuar duke ndihmuar shtetas të tjerë që të trafikonin nga Shqipëria 10 ton kanabis. Ngarkesat, njëra prej 8 tonësh dhe tjetra 2.2 tonë, janë bllokuar brenda pak javësh nga autoritetet italiane, të cilat arrestuan në flagrancë 4 persona.

Hetimet e Krimeve të Rënda kanë përfshirë ndërkaq strukturat e Policisë së Portit Durrës e Qafë-Thanë, përsa kohë ngarkesat kanë kaluar prej andej fare lehtësisht. Por, gjatë masave të sigurisë, gjithë të dyshuarit këmbëngulën se kanë kryer detyrën dhe se nuk kishin dijeni çfarë kishte në kamionët e ngarkuar me drogë.

Top Channel