Basha pret McCain: Shqipëria në situatë kritike

14/04/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka pritur gjithashtu senatorit amerikan John McCain, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë.

Gjatë takimit, Basha përcolli shqetësimin për gjendjen kritike të vendit në raport me sigurinë dhe krimin e organizuar, për shkak të shumëfishimit të kultivimit dhe trafikut të drogës dhe pranisë së personave me rekorde të rënda kriminale në institucione.

“Ky shqetësim, i ngritur me nota të rënda edhe në raportet e fundit të Departamentit të Shtetit dhe EUROPOL-it demonstron sa i madh është rreziku që i kanoset demokracisë dhe stabilitetit të vendit nga përfshirja dhe roli i krimit në vendimmarrjen politike”, tha Basha.

Basha shprehu gjithashtu qëndrimin e tij se, zgjedhjet e ardhshme janë totalisht të pamundura pa çmontuar rrezikun nga paratë e drogës dhe nga kriminelët e interesuar për ruajtjen e gjendjes së tanishme të kapjes së shtetit.

“Vetëm pastrimi i politikës nga krimi dhe lufta efikase kundër drogës dhe krimit përmes një qeverie teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të garantojnë stabilitetin afatgjatë të Shqipërisë”, theksoi zoti Basha.

Kreu i opozitës vlerësoi se, ky është një detyrim madhor i politikës ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe ndaj aleatëve, sepse si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet të garantojë standardet dhe mbrojë vlerat e demokracive perendimore, ku më themelorja është mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Duke rikonfirmuar gatishmërinë dhe ftesën e opozitës për arritjen e një marrëveshje politike për qeverinë teknike dhe mandatin e saj përmes dialogut politik, Basha nënvizoi rëndësinë që ka përgatitja me seriozitet dhe përgjegjshmëri e këtij dialogu në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

“Partia Demokratike do të jetë përherë garante e vlerave të përbashkëta euro-atlantike të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor që përbëjnë aksin e miqësisë dhe aleancës strategjike shqiptaro-amerikane”, shtoi Basha.

Top Channel