Shtohen kushtet, Basha: Jo qeveri teknike kukull

31/03/2017 12:05

Tani pas kthimit nga Malta, për Lulzim Bashën kjo është një javë vendimtare, edhe pse për herë të parë ai foli për dilemën, nëse qeveria teknike do të ketë kohë të mjaftueshme për të krijuar kushtet për zgjedhjet.

“Sot dua t’iu them se nuk ka asnjë mundësi, zero mundësi, qe ne të pranojmë një qeveri teknike kukull. As nuk kërkojmë dhe as nuk do të pranojmë një qeveri teknike fasadë, çastin e fundit për t’i hedhur hi syve shqiptarëve”, tha Basha.

Lulzim Basha la të kuptohet se opozita mund të kërkojë edhe shtyrjen e zgjedhjeve, kur komentoi dy kushtet e kryeministrit për dialog.

“Si the? Negociata me dy kushte: Jo qeveri teknike dhe zgjedhjet të mbahen më 18 Qershor?! Po qeveri teknike dhe zgjedhjet, vetëm të lira e të ndershme, vetëm me çmontimin e krimit, vetëm kur vota e çdo shqiptari të garantohet”, shtoi më tej Basha.

Lulzim Basha vendosi dekriminalizimin, si detyrën më madhore të qeverisë teknike, e cila – siç tha ai, – duhet të shpërbëjë pushtetin e inkriminuar të Edi Ramës përpara se të ketë zgjedhje. Në funksion të dekriminalizimit, kreu i opozitës tha se kishte siguruar në Maltë bashkëpunimin e shefit të “EUROPOL”-it.

“Atij i kam kërkuar një protokoll special bashkëpunimi, që do të vërtetojë, jo për një muaj, as për një javë, por brenda ditës shenjat e gishtave të kriminelëve politikanë dhe politikanëve kriminelë”, deklaroi Basha.

Vendosmërinë e tij, Basha e tregoi edhe kur përdori kundër Edi Ramës një nga shprehjet më të njohura të kryeministrit: Me Rrosh e me Bush, e me të gjithë sa jeni…Nuk keni parë ende asgjë!

Top Channel