BE-ja, strategji të ndarë në faza për “Brexit”-in

31/03/2017 00:00

Bashkimi Europian ka përcaktuar strategjinë e saj për “Brexit”-in, teksa lë të kuptohet se bisedimet për tregtinë do të nisin vetëm pas një “progresi të mjaftueshëm” në zgjidhjen e kushteve të divorcit me Britaninë e Madhe.

Udhëzimet që janë në formë drafti e që u shpallën nga presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, në Maltë, duket se favorizojnë një “sjellje përmes disa fazave”. Ato do t’iu dërgohen 27 vendeve anëtare të bllokut për miratim dhe do të përcaktojnë edhe “tonin” e negociatave dyvjeçare.

Në Bruksel, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini tha se blloku mund t’ia dalë edhe pa Britaninë në çështjet e mbrojtjes. Mbretëria e Bashkuara aktivizoi formalisht procesin për “Brexit” ditën e mërkurë, pasi bëri thirrje për bisedime të njëkohshme për kushtet e divorcit dhe marrëdhëniet e ardhshme tregtare.

Në konferencën për shtyp, Tusk tha se “nisja e bisedimeve paralele për të gjitha çështjet në të njëjtën kohë, siç kërkojnë disa në Britani, nuk do të ndodhë. Vetëm pasi të kemi arritur një progres të mjaftueshëm mbi divorcin, atëherë mund të ulemi të diskutojmë kornizat e marrëdhënies sonë për të ardhmen”.

Bisedimet mund të jenë “të vështira, komplekse dhe shpeshherë edhe konfrontuese”, parashikoi ai, por Bashkimi Europian nuk do të “ndjekë një qasje ndëshkuese”.

Kryeministrja britanike, Theresa May nisi formalisht procesin e “Brexit”-it duke dërguar përmes një letre njoftimin e aktivizimit të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, dorëzuar Tuskut gjatë së mërkurës. Të dy këta udhëheqës do të takohen në Londër përpara samitit të BE-së për “Brexit”-in, ku nuk do të marrë pjesë shefja e ekzekutivit britanik, më 29 prill.

Drafti i udhëzimeve thotë se objektivat e përgjithshme të BE-së janë “ruajtja e interesave të saj, ato të vendeve anëtare, sikurse edhe të qytetarëve dhe bizneseve të bllokut”. Duke bërë thirrje për një “sjellje fazore, me përparësi largimin e rregullt”, udhëzimet thonë se gjithçka duhet të nisë me diskutimet mbi kushtet e divorcit. Më pas, palët mund të nisin bisedimet për marrëdhënien e re tregtare mes BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Top Channel