
Departamenti i Antidrogës së Prefekturës së Athinës ka shkatërruar dy rrjete të mëdha kriminale që ruanin, depozitonin dhe trafikonin sasi të mëdha lëndësh narkotike.
Përsa i përket rrjetit të parë janë arrestuar 3 shtetas shqiptarë të grupmoshës nga 30-32 vjeç dhe 3 grekë, me akuzën për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shkelje të legjislacionit të drogës dhe armëve.
“Për të njëjtën çështje akuzohet një 30-vjeçar shqiptar, që është kreu i rrjetit, dy bashkatdhetarë të tij 30 dhe 48 vjeç, një 46-vjeçar grek dhe 15 persona të tjerë të shpallur në kërkim”, tha Teodoros Chronopoulos, zëdhënës i policisë greke.
30-vjeçari në fjalë, që ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, merrej me furnizimin e sasive të para të hashashit që vinte nga Shqipëria, si dhe të kokainës dhe heroinës, dhe më pas organizonte shpërndarjen e tyre në zona të ndryshme të Athinës dhe Evias.
Në shtëpitë e të arrestuarve janë gjetur dhe konfiskuar mbi 12 kg hashash, kokainë, heroinë, parà shqiptare, dollarë australianë, euro, paund, peshore farmaceutike, qese për ambalazhimin e drogës, 15 telefona celularë dhe armë.
Arrestimet e së enjtes kanë qenë vazhdimi i një operacioni të filluar prej disa kohësh nga Antidroga greke, gjatë të cilit janë arrestuar deri më tani 20 persona dhe janë konfiskuar mbi 28 kg kokainë dhe 300 kg hashash që ka ardhur nga Shqipëria.
“Në rastin e dytë, në një operacion të organizuar të Departamentit të Antidroges në Prefekturën e Athinës janë arrestuar 4 shtetas shqiptarë 30, 31, 50 dhe 55 vjeç”, tha Teodoros Chronopoulos. Gjithashtu janë konfiskuar 32 kg hashash, kokainë, rreth 6.000 euro “cash”, dy automjete dhe 3 telefona celularë. Njëri prej të arrestuarve akuzohet edhe për përdhunimin e një vajze shqiptare dy ditë më parë.
Në një rast të veçuar, orët e fundit është arrestuar një 25-vjeçar nga Shqipëria, të cilit i janë gjetur në cilësinë e provës materiale 5 kg kokainë.
Top Channel