Arsimi i lartë, Basha: Pedagogët mbështesin opozitën

31/03/2017 00:00

Duke komentuar ditën e sotme të protestës, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se dhjetëra pedagogë u bashkuan me opozitën për të diskutuar rreth gjendjes, sipas tij, të mjeruar të arsimit të lartë.

“Ata u shprehën se reforma e arsimit të lartë është bërë për të mbrojtur interesat e klientëve të kryeministrit përkundër atyre të qytetarëve”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, reforma Rama-Nikolla kufizon lirinë e zgjedhjes së të rinjve, kufizon pavarësinë e universiteteve dhe cungon lirinë akademike e intelektuale.

“Ndërkohë, mbështetja për punë shkencore është zero, sa edhe pjesëmarrja në konferenca shkencore është e pamundur. Pedagogët e universiteteve publike kritikuan faktin se ndërsa gjatë katër viteve rrogat e tyre nuk u rritën, ngarkesa në punë u rrit ndjeshëm”, ka vijuar Basha.

Ai ka shtuar se, u ka premtuar pedagogëve një politikë të re arsimore, mbështetje më të madhe me fonde për arsimin publik dhe mbështetjen e studentëve për të studiuar, pavarësisht mundësive ekonomike.

Top Channel