Zgjedhjet në Kavajë, LSI: Nuk jemi regjistruar. PS s’u konsultua

30/03/2017 00:00

Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka deklaruar se kjo parti nuk është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për Bashkinë e Kavajës.

Në një prononcim për mediat, Rama ka sqaruar se LSI nuk mund të bëhet pjesë e një procesi të përgatitur në mënyrë të njëanshme nga PS.

“LSI nuk është regjistruar në zgjedhjet për Kavajën sepse mënyra se si është proceduar deri tani për zgjedhjen e kandidaturës ka qenë e njëanshme”, ka thënë Rama.

Duke theksuar se LSI ka qenë kundër kandidaturës së mëparshme për Kavajën, asaj të Elvis Roshit, nënkryetari i kësaj partie ka nënvizuar se LSI nuk është konsultuar as për kandidaturën e radhës.

“Nuk jemi trajtuar si partner. Dy partnerë konsultohen, bisedojnë dhe vendosin së bashku”, ka thënë Rama, duke shtuar se Kavaja tashmë është një çështje që i përket vetëm PS-së.

Për LSI-në, ka vijuar ai, e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve të lira e me standarde dhe për këtë ajo do të ketë një angazhim maksimal. Në fund, Rama i është përgjigjur edhe akuzave që vijnë nga partia kryesore e koalicionit qeverisës.

“Ne nuk i referohemi çfarë thotë qeveria apo Saimiri, sepse Saimiri para 6 muajsh tha se nuk është e nevojshme ndërhyrja e ushtrisë kundër kanabisit, ndërsa dje qeveria tha se do përfshihet edhe ushtria”, ka shtuar Rama.

Top Channel