SHÇBA, hetim për korrupsion pasiv inspektorit të Komisariatit Nr. 1

30/03/2017 00:00

Pas Drejtorisë së Policisë së Shtetit, që urdhroi një ditë më parë pezullimin nga detyra të punonjësit të policisë, Lek Marku, me gradën “inspektor” në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë, edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur hetimet për punonjësin, që u shfaq me zë edhe me figurë në investigimin e “Fiks Fare”, duke marrë 24 mijë lekë në këmbim të lëshimit të një dokumenti.

Reagimi i SHÇBA-së vjen vetëm pak minuta pas transmetimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” të pamjeve filmike, ku punonjësi i policisë së Komisariatit Nr. 1, Lek Marku ka përfituar 24 mijë lekë nga një shtetas, i cili kërkonte një dokument deklaratë, që do t’i shërbente atij për të kërkuar azil në një nga vendet e BE-së.

Sipas komunikatës për shtyp, SHÇBA ka nisur menjëherë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, për veprën penale të “korrupsionit pasiv”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

Në fund, Ministria e Punëve të Brendshme falënderon sërish mediet për kontributin në ndëshkimin e fenomeneve antiligjore dhe garanton qytetarët se do të përballë me forcën e ligjit këdo që rezulton i përfshirë në afera.

Top Channel