Punimet e PPE, Basha takohet me drejtuesit e së djathtës

30/03/2017 00:00

Kongresi i Partisë Popullore Europiane i ka shërbyer Lulzim Bashës për të njohur disa prej drejtuesve europianë të qendrës së djathtë me atë që e quan “kërcënim real të zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri prej krimit, drogës dhe parave të pista”.

Në takimin me Presidentin Josef Daul Basha kërkoi mbështetjen europiane për këtë betejë të opozitës.

Të njëjtën temë, Lulzim Basha e trajtoi edhe me ministrin  e Jashtëm austriak, Sebastian Kurtz, të cilit i tha se kjo betejë për vlerat europiane do të zhvillohet  deri në fitore.

Njoftimi i Partisë Demokratike vë në dukje mbështetjen që kreu i opozitës ka marrë nga kryetari i Senatit italian, Pier-Ferdinando Cazini, si dhe nga disa senatorë italianë për kauzën e votës së lirë.

Gjatë qëndrimit në Maltë, Basha u takua edhe me kryetarin e opozitës greke Mitsotaqis, i cili ka shfaqur shqetësim për situatën e krimit të organizuar dhe drogës.

Mitsotaqis u shpreh se e çmon dhe mbështet betejën që Basha dhe opozita shqiptare po bëjnë për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Top Channel